ardian FullaniNë konferencën e zakonshme që mban pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Guverantori Fullani deklaroi se treguesit ekonomikë janë pozitive.

Por ai komentoi edhe zhvillimet e fundit mbi vjedhjen e ndodhur në bankë, duke iu përgjigjur interesit të medias. Kreu i Bankës Qendrore hodhi poshtë zërat se shuma e vjedhur të jetë më e madhe nga sa është deklaruar, pas kontrollit të ushtruar nga vetë banka.

Ai theksoi se do të ketë edhe kontrolle të tjera nga institucionet shqiptare dhe se po bashkëpunohet edhe me institucionet ndërkombëtare partnere për të përmirësuar sigurinë.

Vjedhjen nga vetë punonjësi i bankës, Guvernatori e quajti një rast të rëndë por, ai theksoi së banka po punon që të garantojë tregun me likuiditet, ndërsa synon që ekonomia të ruajë parametrat normale të saj.

Lidhur me hetimet, Guvernatori Fullani u shpreh se Banka e Shqipërisë e denoncoi vjedhjen e zbuluar nga vetë ajo, menjëherë në organet e hetimit dhe theksoi se banka dhe ai vetë janë më të interesuarit që kjo ngjarje të zbardhet tërësisht.

Guvernatori u shpreh se akti rregullativ është i supervizuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore dhe se rishikimi i akteve dhe rregulloreve është një çështje në vazhdim në çdo institucion. Në daljen publike, pas mbjedhjes mujore të Këshillit Mbikëqyrës, ai bëri të ditur se norma bazë e interesit mbetet 2.5%.

TV KLAN