Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Financave, Ervin Mete ka sjellë në vëmendje garancinë sovrane për fasoneritë. Gjatë fjalës së tij, ministri Mete ka deklaruar se kjo garanci do të mbulojë 70% të kredive me marzh 1.5 apo 2%.

Ervin Mete: Duke parë edhe shifrat e fundit të investimeve të huaja, kombinuar dhe me shifrat në rritje të turizmit, japim besim që ky trend pozitiv dhe qëndrueshmëria e këtij trendi do të vazhdojë. Kyçe që këtë moment të mirë ekonomik, ta përkthejmë në mbështetje për sektorët dhe për shtresa të caktuara.

Po veçoj garancinë sovrane që së fundi me aktin normativ kaluam për sektorin e industrisë përpunuese që lindi nga një kërkesë në një takim të ngjashëm dhe u procesua në një kohë të shpejtë, presim ta kalojmë në qeveri javës tjetër për të përcaktuar detajet që do të jenë edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohët e pandemisë, pra po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar për një marzh 1,5% apo 2% për 9 muaj. Besojmë që qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori do të jetë ndihmuese.

Kemi pasur diskutim të thelluar me guvernatorin dhe me Bankën e Shqipërisë që me të cilët së shpejti pritet të dalim me plan të përbashkët për nxitjen e kreditimit me qëllim që bashkarisht të marrim masa për nxitjen e kreditimit. Ashtu si për sektorët të veçantë, po i referohem sërish fasonit, kemi pasur një diskutim të frytshëm që të lehtësohen procedurat kur vjen puna tek rimbursimi i TVSH-së.  

Gjatë fjalës së tij, ministri Mete ka deklaruar se rritja e pagave që synohet në Qershor, t’i japë shtysë dhe privatit.

Ervin Mete: Rritja e pagave që synojmë në Qershor shkon në këtë logjikë që këtë moment të mirë ekonomik ta përkthejmë në mirëqenie. Rritja në publik të jetë shtysë dhe në privat dhe do të kemi hapësirë të bëjmë disa lehtësime fiskale. Të kemi një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe shpërndarëse të mirëqenies.

/tvklan.al