Një Benz i bardhë me targa suedeze dyshohet se është përdorur nga autorët e grabitjes së filialit të bankës, një ditë më parë në qendër të Vlorës. Në një njoftim zyrtar të policisë thuhet se Benzi 250 është parë në videot e kamerave të sigurisë bankës apo bizneseve, pranë saj të sekuestruara nga grupi hetimor.

Sipas policisë së Vlorës ky automjet u gjet i braktisur në lagjen “Lef  Sallata”. Ai ishte vjedhur një ditë para grabitjes në lagjen Rilindja të Vlorës dhe poseduesi i tij kishte bërë kallëzim në polici.

Mësohet gjithashtu edhe shuma e vjedhur në bankë. Autorët mundën të merrnin 6 milion lekë dhe 33.695 euro. Hetimet janë fokusuar në sqarimin e rolit të shërbimit të sigurisë private që ka nënshkruar kontratë për sigurinë e bankës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14 të së hënës në Sheshin e  Flamurit në Vlorë. Dëshmitarët thanë se panë dy persona të armatosur dhe të maskuar me rroba kamuflazhi ushtarak. Ende nuk ka të dhëna mbi autorët e mundshëm të grabitjes.

TV Klan