Gjobat që u janë vënë mijëra bizneseve nga Sistemi Elektronik i Tatimeve për mosdorëzimin e formularit të punësimit do të falen. Lajmi  është bërë i ditur nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili tha se shumë shpejt kjo masë do t’i propozohet Parlamentit.

Bizneset i kanë quajtur të paligjshme këto gjobë, ndërsa  Ministri Ahmetaj thotë se gjenerim i gjobave nga sistemi është në referencë të plotë të zbatimit të ligjit, por falja do të bëhet duke qënë se është hera e parë e aplikimit të këtij sistemi nga Tatimet.

Ministri i Financave ka kërkuar që të zbatohet ligji, ndryshe subjektet që nuk e zbatojnë do të gjobiten. Sistemi tatimor ka gjobitur mijëra  biznese me 10 mijë lekë të reja për mosdeklarim të punonjësve, bëhet fjalë për persona fizikë që kanë vetëm një të punësuar, pra administratorin.

Sipas Tatimeve, edhe pse subjektet janë të regjistruar në QKR ato duhet të dorëzonin edhe formularin e deklarimit të punonjësit në zyrat e taksave, por bizneset pretendojnë se nuk e kanë detyrimin për të deklaruar punonjësin e vetëm.

Deklaratat Ministri Ahmetaj i ka bërë gjatë  nënshkrimit të marrëveshjes së bërë nga qeveria shqiptare dhe Berzh për dhënien e kredisë prej 218 milion euro nga kjo e fundit për ristrukturimin e borxhit që KESH ka ndaj bankave të nivelit të dytë.

Tv Klan