Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të mbetet në paraburgim, derisa Serbia të hartojë kërkesën zyrtare për ekstradim. Këtë vendim dha gjykata e Apelit të Kolmarit, në Francë. Gjykata nuk ka vendosur ende për kohëzgjatjen e masës së paraburgimit.

Haradinaj u arrestua të mërkurën në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 dhe doli këtë të enjte para gjykatës.

Më herët gjatë ditës, Kryeministri serb, Aleksander Vucic, tha se do të kërkojë ekstradimin e tij në Serbi, pasi ka prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor për krime lufte. Por avokati i Haradinajt tha se ekstradimi në Serbi është i pamundur.

Me një notë proteste nga ana e Prishtinës zyrtare është dënuar arrestimi i ish-kryeministrit. Mediat kosovare njoftojnë se qeveria e Kosovës pritet të mblidhet të premten dhe do diskutohet ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, deri në tërheqjen e fletë-arresteve në drejtim të ish-luftëtarëve të Uçk-së nga Beogradi.

Në një intervistë për Klan Kosova, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, tha se po bën gjithçka që kjo situatë të mbyllet. Ai sqaroi se Haradinaj nuk do të arrestohej nëse do të informonte ambasadën për udhëtimin e tij.

Ndërkohë Kosova i ka mohuar presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliç, zhvillimin e një vizite zyrtare, si një përgjigje për arrestimin e Haradinajt.

Lajmi për arrestimin e ish-kryeministrit ka bërë jehonë në mediat kryesore botërore. Ramush Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga gjykata për krime lufte në Hagë./ TV KLAN