Kavajë- Krimi në familje ka shënuar një tjetër viktimë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 19:40 minuta, në Golem të Kavajës.

Një 73-vjeçar ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 68-vjeçare, teksa gjendeshin në një banesë të marrë me qira prej tyre, për të kaluar pushimet.

Sipas policisë i moshuari Veli Dervishi ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, Shazivare Dervishi. Më pas autori është vetëdorëzuar në postën policore të Golemit.

Pas vetëdorëzimit në polici mësohet se 73-vjeçari Dervishi ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur për shkak të një konflikti të momentit, ndërsa ai ka vepruar në gjaknxehtësi e sipër.

Policia thotë se po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, por paraprakisht dyshohet se autori ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike.

Burime në vendin e ngjarjes thanë se çifti i të moshuarve nga Tirana gjendej prej disa ditësh në Golem për pushime, por që tashmë u ndërprenë në mënyrë tragjike.

Tv Klan