Greqia ka nisur evakuimin e migrantëve të bllokuar në kampin e improvizuar në Idomeni, në kufi me Maqedoninë. Operacioni për evakuimin e tyre ka filluar që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Trupat speciale janë në gjendje gatishmërie, por zyrtarët kanë thënë se nuk do të përdoret forcë. Kampi është ngritur në muajin Shkurt, pasi mbyllja e kufirit në Maqedoni ka bërë që mbi 8,000 migrantë të mbeten të bllokuar atje.

Migrantët, shumica të ikur nga zonat e konfliktit në Siri, Irak dhe Afganistan, kanë refuzuar të lëvizin, edhe pse kanë fjetur në tenda dhe në kushte shumë të vështira. Ata janë transportuar me autobusë, ndërsa një helikopter ka monitoruar operacionin.

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Giorgos Kyritsis, ka thënë të hënën se të gjithë migrantët do të zhvendosen dhe se operacioni do të zgjasë rreth një javë.

“Një gjë si Idomeni nuk mund të mbahet, sepse u shërben vetëm interesave të kontrabandistëve”,

 ka thënë ai.

Kyritsis ka shtuar se shumica e migrantëve do të vendoset në kampe të reja pranë qytetit të Selanikut. Po ashtu të hënën, policia ka nisur të largojë rreth 2,000 njerëz që kanë bllokuar hekurudhën në kufi. Hekurudha ka qenë e bllokuar për më shumë se një muaj, duke i detyruar trenat të devijojnë rrugën përmes Bullgarisë. Vendimi i Maqedonisë për të ndaluar migrantët që të kalojnë kufirin nga Greqia ka pasuar një njoftim të Austrisë për forcimin e kontrolleve të saj kufitare. Që nga fillimi i vitit të kaluar, mbi një milion refugjatë dhe migrantë të tjerë, pa dokumente, kanë hyrë në Bashkimin Evropian, me anije nga Turqia për në Greqi, duke shkaktuar një krizë të madhe./tvklan.al