greek-election-candidatePak më shumë se 9.8 milionë grekë me të drejtë vote do të zgjedhin të dielën qeverinë e tyre të re. E shtuna është heshtje zgjedhore sipas ligjit elektoral.

Por, për sondazhet nuk ka më asnjë dyshim se Kryeministër i ardhëshëm do të jetë Aleksis Cipras, lideri i partisë së ekstremit të majtë Syriza. Diferenca mes kësaj force dhe Demokracisë së Re të Antonis Samaras, në sonazhe të ndryshme varion nga 3 deri në 8 pikë.

Pyetja që shtrojnë shumë analistë është nëse Syriza do të fitojë mjaftueshëm vende në parlament për ta krijuar e vetme qeverinë, apo do të jetë e detyruar të kërkojë partner në koalicion.

Në rastin e këtij skenari të mundshëm, disa parti mund të marrin në konsideratë partneritetin me Cipras. Duke nisur nga “PASOK” që udhëhiqet nga Evangleoz Venizellos, ish-Kryeministri Jorgos Papandreu me forcën e tij të themeluar këtë muaj, “Kinima-Lëvizja e socialistëve demokratë”; ashtu si edhe “DIMAR-Demokratët e Majtë” të udhëhequr nga Fotis Kuvellis.

Të gatshëm për negociata duket se janë edhe “POTAMI-Burimi”, e themeluar nga gazetari i njohur grek Stavros Theodhorakis, si dhe “ANEL-Grekët e Pavarur” të Panos Kamenos. Analiza të ndryshme thonë, se një qeveri kolicioni e drejtuar nga Syriza, nuk do ta ketë të lehtë të përmbushë premtimet.

Nga ana tjetër, ka përjashtuar kategorikisht pjesëmarrjen në çdo koalicion Partia Komuniste, ashtu si edhe neo-nazistët e “Agimit të Artë”.

Por sigurisht që enigmat do të zgjidhen të hënën, pasi sondazhet sugjerojnë që si partia e Papandreut, ashtu si edhe ajo e Kuvellis nuk do ta kalojnë pragun elektoral prej 3%, për t’u përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm.

Por nga përvoja e 2012-es, nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që të nevojiten përsëri zgjedhje për krijimin e një qeverie të re.

Tv Klan