doshiDuket se edhe këtë herë furtuna që përfshiu shtëpinë e socialisteve nga akuzat e ashpra të bëra ndaj qeverisë nga deputeti Tom Doshi, do të kalojë pa pasoja.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të diskutojë të hënën mbi këtë ngjarje, në një mbledhje jashtë radhe. I kontaktuar nga TV Klan, kreu i grupit Gramoz Ruçi nuk pranoi të flasë për çështjen, por la të kuptohet se ajo do të jetë pjesë e diskutimeve.

Deklaratat e të enjtes së Doshit duket se janë diskutuar mes tij dhe Kryeminstrit Rama gjatë vizitës zyrtare që ata zhvilluan për dy ditë me radhë në Bukuresht. Në radhët e socialistëve është diskutuar edhe mundësia e përjashtimit të Doshit nga grupi dhe partia, po kjo me gjasë nuk do të ndodhë.

Deputeti i Shkodrës pati një ditë më parë një takim me Ministrin e Brendshëm në ambientet e një hoteli të njohur në Tiranë.

Në media flitet për një takim të tensionuar, si rrjedhojë e akuzave të Doshit dhe komenteve të Tahirit, që i quajti ato si shpifje.  Të enjten, Doshi, në deklaratën e tij publike foli për emërime nepotike edhe në polici.

Pak orë më vonë, Ministri Tahiri, në emisionin Opinion të gazetarit Blendi Fezviu, do t’i quante këto akuza si shpifje banale të tipit Berisha.

Deputeti Doshi e ka përjashtuar mundësinë e përjashtimit të tij nga grupi Parlamentar. Kjo nuk është hera e parë që ai kritikon qeverinë. Pakënaqësi ai shprehu veçanërisht nga Policisë së Shtetit gjatë diskutimit të ligjit për policinë, verën e vitit të kaluar.

Tv Klan