Prokurorët që po hetojnë vdekjen e dyshimtë të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në nëntor 2016 në paraburgimin e Prizrenit në Kosovë, kanë të paktën 46 pyetje për ekspertët mjeko-ligjore që mbikqyrën autopsinë. Ky është numri i pyetjeve të përcjella nga autoritetet kosovare të drejtësisë përmes letërporosive për një prej dy ekspertëve, i cili jeton në Shqipëri.

“ABC News” ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Tiranës që i dha dritë jeshile ekzekutimit të letërporosisë për pyetjen e ekspertit mjeko-ligjor Besim Ymaj, ish-drejtuesi i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Në pyetjet e përcjella për ekspertin Ymaj, hetuesit kosovarë kërkonin saktësimin e paqartësive në aktin e përpiluar prej tij, apo shpjegime për përfundimet e tij. Në një prej pyetjeve, pasi citonin dëmtimet e jashtme të konstatuara tek viktima, mes të cilave lëndime trupore dhe një brinjë e thyer hetuesit pyesin: “A ekziston mundësia që këto lëndime dhe forca shtytëse më intensitet të lartë të vetëshkaktohen nga viktimat”?

Me tej, ata kërkonin: “A mund të na i shpjegoni nga aspekti shkencor, nëse viktima tenton të kryejë vetëvrasje si do të reagonte në rast të vetëlëndimit krahasuar me lëndimet që i ka pasur i ndjeri Astrit Dehari?

Ndër të tjera pyetje Ymaj duhet t’i përgjigjet se “në cilat raste viktima heq dorë nga kryerja e aktit të vetërasjes kur e ka filluar veprimin”?

Astrit Dehari ndërroi jetë në 5 Nëntor 2016 teksa mbahej në qelitë e paraburgimit. Ai ishte shoqëruar si një nga personat e dyshuar për një aktin terrorist të sulmit me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të 2016. Aktualisht prokuroria e Prizrenit ka vetëm një person të proceduar për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”./

abcnews.al