Tre ditë nga ekzekutimi mafioz në Fushë-Krujë, ku humbi jetën 43-vjeçari Gentian Bejtja, policia e Tiranës ende nuk ka ndonjë emër të dyshuar si autorë për krimin.

Në lidhje me ngjarjen blutë kanë nisur analizat ku është fokusuar në këqyrjen e kamerave të sigurisë së zonës si dhe në dëshmitë e personave të shoqëruar. Rreth 25 persona janë shoqëruar gjatë tre ditëve, për tu pyetur në lidhje me ngjarjen.

Sipas burimeve, mësohet se policia nuk ka përftuar të dhëna që do t’i çojnë tek autorët e këtij krimi. Të shoqëruarit janë lënë të lirë pasi ndaj tyre nuk ka prova për t’i fajësuar. Me interes për grupin hetimor është dhe pyetja e personazheve të njohur të botës së krimit në Fushë-Krujë, të cilët ndodhën jashtë vendit.

Katër vrasësit që për policinë besohet se ishin me pagesë kishin nisur organizimin e atentatit që pas tentativës së dështuar për të eliminuar Bejtjan. Bëhet fjalë për ngjarjen ku humbi jetën kunati i tij dhe u plagosën fëmijët, atentat në të cilin ishte shënjestër 43-vjeçari. Sigurimi i mjeteve për të kryer krimin, nisi rreth një muaj pas atentatit të korrikut të vitit të shkuar në shtëpinë e Bejtjas.

Në muajin Gusht, autorët vodhën automjetin në Shkodër dhe targat në Tiranë. Autorët dyshohet se kanë bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, jo vetëm për t’i larguar pas djegies së makinës, por edhe për të ndaluar energjinë e elektrike në zonë, kur të kryhej vrasja. Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e lëvizjeve të autorëve të mos dokumentohet.

Ish-punonjësi i burgjeve u qëllua për vdekje pasditen e të premtes së shkuar në banesën e tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. 43-vjeçari ndodhej në banesën e prindërve, ngjitur me shtëpinë e tij. Ai u qëllua me breshëri plumbash teksa po kalonte portën e përbashkët me banesën e prindërve.

Bejtja i ka shpëtuar dhe 2 atentateve të tjerë, në 2016 dhe në 2022-in. Bejtja i pyetur për disa ngjarje kriminale është hetuar edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj pasi u akuzua së bashku me Enver Stafukën se kishin vjedhur makinën që u përdor në vrasje. Të dy u shpallën të pafajshëm nga Gjykata për mungesa provash.

Klan News