Rikonstruksioni i Hotel Dajtit po fsheh një skandal financiar të tenderit të parë të rëndësishëm që ka firmosur guvernatori Gent Sejko. Televizioni Klan ka mësuar se shuma e nevojshme e vlerësuar nga projektuesit e rindërtimit të godinës “Hotel Dajti” ka qenë 9 milion euro, por banka pa marrë asnjë vendim nga ana e Këshillit Mbikëqyrës ka vendosur të dyfishojë këtë fond dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim për publikun në shërbim të transparencës të buxhetit të saj.

Ende dhe sot Banka e Shqipërisë  vazhdon të heshtë dhe të mos publikojë asnjë informacion për rindërtimin e godinës dhe kompanisë që ka përzgjedhur për të ndërtuar objektin. Televizioni Klan ka arritur të sigurojë projektin që banka ka dorëzuar në Këshillin Kombëtar të Territorit në vitin 2015-të.

Në lejen e miratuar nga KKT thuhet se sipërfaqja e ndërtimit do të jetë në total 10.574 m 2, nga 14 mijë metra që zinte rikonstruksioni i selisë qendrore. Por edhe pse banka po rindërton një objekt me sipërfaqe më të vogël, 3500 m2 më pak, vlera e saj do të kushtojë 6 milion euro më shumë. Askush nga Banka nuk përgjigjet se përse po shpenzohen këto fonde me vlera të konsiderueshme, pse nuk publikohet fituesi i tenderit, pse tenderi u bë në fshehtësi, cilat kompani morën pjesë dhe përse oferta fituese ishte më e mirë se të tjerat?

Në kohën që ish-guvernatori Ardian Fullani organizoi tenderin ndërkombëtar për selinë kryesore të bankës, konkursi u bë në 3 faza dhe ishin 27 kompani që morën pjesë, nga ku doli edhe fituesi, i cili paraqiti përpara komisionit eksperiencën që kishte në ndërtimin e veprave të ngjashme. Kur do të përgjigjet guvernatori Sejko për këto dyshime që ende dhe sot janë mister për publikun? A duhet që prokuroria të nisë një hetim kryesisht për zbardhjen e këtij skandali financiar që shoqëroi gjithë procesin e tenderimit të rikonstruksionit të Hotel Dajtit?

Dy vjet pas miratimit të lejes ndërtimore, Banka e Shqipërisë akoma nuk shpall emrin e kompanisë që do të marrë 18 milion euro për zbatimin e projektit të rikonstruksionit.

/ TV KLAN