Ndjekje penale të gjithë atyre që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin

Edhe pse aksionet e IKMT vijojnë çdo ditë të shembin ndërtimet pa leje në bregdet dhe akse të rëndësishme rrugore, sërish nuk mungojnë ndërtimet e reja të karburanteve pranë rrugeve interurbane apo autostradave.

I tillë është edhe ky karburant pranë rrethrrotullimit të kolonjës, qe është ndërtuar ditët e fundit, duke iu shtuar numrit të lartë të karburanteve pranë aksit rrugor lushnje-fier.

Mëngjesin e së enjtes Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit e shembi karburantin e ndërtuar pa leje.

Përveç shembjes së strukturës së ngritur në kundërshtim dhe IKMT paralajmëron ndjekje penale të pronarëve të tij dhe të gjithë pronarët e objekteve të tjera pa leje.

“Subjekti ishte i gjobitur 3,8 milionë Lekë dhe të gjithë ata që ndërtojnë pa leje do të ndiqen penalisht”.

Aksioni i IKMT vijon në të gjithë territorin, por me prioritet rrjetin rrugor dhe bregdetin.

“IKMT në bashkëpunim me policinë që është prezent në vijën bregdetare me aksionin Bregdeti Ynë me evidentimin dhe prishjen e ndërtimit pa leje është i vendosur për zbatimin e ligjit dhe goditjen e ndërtimeve në akset rrugore kombëtare”.

Ndërtimi pafund i karburantëve përgjatë autostradave në Shqipëri, në kundërshtim me çdo masë sigurie për hyrje-daljet e automjeteve në rrugë, dhe vendosja pranë njëri- tjetrit jo në pak raste kanë shërbyer si burim aksidentesh.

Segmenti Rrogozhinë-Fier është i vetmi aks që ende nuk është mbyllur në të dy krahët e autostradës, siç është pjesa tjetër nga Durrësi në Rrogozhinë dhe nga Fieri në Vlorë.

Tv Klan