Ishte data 28 Mars, kur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj vendosi precedent në SPAK, duke u mbyllur për 7 orë për të lexuar dosjen në ngarkim të tij, duke refuzuar kështu që të paguante tarifën prej 120 mijë lekësh për ta marrë me vete. Kur doli, ai tha se kishte mundur që të shihte vetëm 15 fashikuj, nga 700 të tillë (Lexo më shumë).

Këtë të mërkurë, Beqaj është rikthyer sërish në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, për të vijuar aty ku e la.

Këtë veprim, më herët avokati i tij e justifikoi duke thënë se tarifa e vendosur nga SPAK-u është shumë e lartë.

SPAK e vendos tarifën në bazë të volumit të materialeve që duhen skanuar dhe printuar. Bëhet fjalë kryesisht për skanimin e 190 mijë faqeve për 9 të pandehurit për dosjen e koncesionit të sterilizimit. Por ish-ministri nuk e pa të arsyeshme të paguajë pjesën që i takon për prokurorinë, që e akuzon shpërdorim detyre në bashkëpunim. Beqaj është marrë i pandehur me vartësin e tij Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj që fitoi koncesionin e sterilizimit dhe 6 persona të tjerë.

Ndërkohë, gazetari Besar Bajraktaraj raporton se të enjten është parashikuar të zhvillohet edhe seanca paraprake, ku do të vendoset nëse dosja ndaj tij do të kalojë ose jo për gjykim./tvklan.al