photoMuaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, por kjo nuk do të thotë që të trajtohet vëtëm një herë në vit. Vizitat dhe kontrollet te mjeku Onkolog duhet të jenë të vazhdueshme, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të mbahet nën kontroll situata shëndetësore e çdo femre. Dr. Radiologe Arjeta Docaj ka shpjeguar në detaj faktorët e rriskut për kancerin e gjirit, shenjat klinike të tij, si edhe hapat që duhen ndjekur mbi vetë – ekzaminimin. Docaj thekson se ekzaminimi mamografik nuk është aspak i dhimbshëm dhe nuk mbart asnjë rrezik për pacienten, por duhet realizuar gjithmonë pas kalimit të ciklit menstrual.

Çfarë është Ca i gjirit dhe nga shkaktohet?

Kanceri i gjirit është një kancer që zhvillohet në indin glandular, ai ndahet në dy tipe kryesore: Karcinoma duktale (që zhvillohet në duktuset laktifere), pjesa më e madhe e kancereve të gjirit janë të këtij lloji dhe karcinoma lobulare që zhvillohet në lobulin e gjirit, pjesë që prodhon qumshtin.

Përse pjesa më e madhe e kancereve të gjirit kanë lidhje me hormonin estrogjen?

Pjesa më e madhe e kancereve të gjirit janë sensitive ndaj estrogjenit, që do të thotë që hormoni i estrogjenit shkakton rritjen e kancerit të gjirit. Këto tumore kanë receptorë estrogjeni në sipërfaqen e qelizave të tyre. Ato quhen kancere me receptorë estrogjeni pozitive ose kancer ER pozitive. Një pjese e grave kanë kancer gjiri të quajtur HER2 -pozitiv. HER2 i referohet një gjeni që ndihmon qelizat të rriten, të ndahen dhe të riparohen. Kur qelizat (përfshirë qelizat kancerogjene) kanë shumë kopje të këtij gjeni ato rriten më shpejt.

Cilat janë risqet e kancerit HER2 pozitiv?

Gratë me kancer HER2 pozitiv kanë sëmundje më agresive dhe një risk më të lartë për rekurrencë se sa gratë që nuk e kanë këtë tip. Gjithesesi kjo mund të ndryshojë në sajë të mjekimeve specifike kundër HER2.

Cilët janë faktorët e riskut për kancerin e gjirit?

Faktoret e riskut për kancer gjiri janë faktorë të cilët nuk mund të ndryshohen, si:

a) mosha me rritjen e moshës rritet incidenca e kancerit të gjirit.

b) gjenet nëse personi është mbartës i mutacionit gjenetik BRCA 1 dhe BRCA 2. Mbartja e këtyre gjeneve rrit probabilitetin për kancer gjiri me 80%.

c) faktorë personal, si fillimi i menstruacioneve nën moshën 12 vjeç ose fillimi i menopauzes pas moshës 55 vjeç. Faktorë të tjerë risku për kancer gjiri janë lindja e fëmijës së parë pas moshës 30 vjeç, duhani dhe alkooli. Është parë dhe një lidhje midis përdorimit të kontraceptiveve orale dhe kancerit të gjirit.

Cilat janë shenjat klinike të tij?

Shenjat klinike të kancerit të gjirit janë:

1. Një gjendërr apo kokërr e prekshme në gji.

2. Ndryshim i madhësisë apo formës së gjirit.

3. Rrjedhja nga gjiri.

Si bëhet vetë – kontrolli i gjirit?

Nisur nga shenjat klinike vetë – ekzaminimi i gjirit ka një rëndësi të veçantë. Vetë – ekzaminimi i gjirit është një mundësi e mirë për të zbuluar kancerin e gjirit në faza të hershme. Gjatë vetëekzaminimit të gjirit duhet të keni parasysh: Bëjeni zakon të vetë – ekzaminoni gjirin tuaj çdo muaj në mënyrë që të familjarizoheni me mënyrën se si duket dhe preket gjiri juaj. Vetë – ekzaminimi bëhet disa ditë pas ikjes së ciklit menstrual (ditë në të cilat gjiri është më pak i dhimbshëm e më pak i enjtur). Nese nuk keni më perioda zgjidhni një ditë të muajit që mund të mbahet mend me lehtësi, si psh: dita e parë e muajit apo dita e fundit e muajit.

Hapat që duhen ndjekur gjatë vetë – ekzaminimit, ku konsistojnë?

Hapi i parë: Filloni me shikimin e gjirit tuaj ndërkohë që qëndroni përpara pasqyrës, me shpatullat drejt dhe duart në mes. Ju duhet të vlerësoni madhësine, formën dhe ngjyrën e gjirit tuaj. Nëse vëreni një nga ndryshimet e mëposhtme drejtohuni menjëherë pranë mjekut.

Thellim, fryrje, rrudhje të lëkurës.

Thithi ka ndërruar pozicion (ai është futur brenda në vend që të jetë i dalë jashtë).

Skuqje, enjtje.

Hapi i dytë: Ngrini duart lart përpara pasqyrës dhe vëreni gjirin tuaj për të njëjtat ndryshime.

Hapi i tretë: Ndërkohë që jeni përpara pasqyrës shikoni thithin e gjirit tuaj për ndonjë rrjedhje fluide, si psh: gjak, qumësht, rrjedhje e ujshme apo me ngjyrë të verdhe.

Hapi i katërt: Shtrihuni dhe me dorën tuaj të majtë ekzaminoni gjirin e djathtë kurse me dorën e djathtë gjirin e majtë. Kini kujdes të ekzaminoni të gjithë gjirin. Mund të filloni nga thithi dhe me lëvizje rrethore të mbuloni gjithë sipërfaqen e gjirit nga brenda jashtë. Mund të ekzaminoni gjirin tuaj dhe me lëvizje vertikale nga lart – poshtë. Kjo mënyrë e fundit duket më e lehtë për shumicën e grave.

Hapi i pestë: Ekzaminoni gjirin tuaj ndërkohë që jeni ulur ose në këmbë. Shumica e grave e kanë më të lehtë të vetëekzaminojnë gjirin e tyre ndërkohë që ai është i lagur dhe i rrëshqitshëm, prandaj preferojnë ekzaminimin nën dush. E rëndësishme është të vetë – ekzaminohet i gjithë gjiri.

Në çfarë moshe duhet të fillojë kontrolli nga mjeku Onkolog?

Shoqata amerikane e kancerit rekomandon që gratë nga 20-39 vjeç të ekzaminohen klinikisht nga mjeku Onkolog çdo tre vjet. Mamografia nuk është e rekomanduar. Në këto raste ekzaminimi i zgjedhur është ekografia. Parimi i punës së ekografisë mbështetet në përdorimin e ultra-tingujve që janë të padëmshme për pacientin.

Kur duhet të bëhet mamografia?

Mamografia ka dy përdorime kryesore:

1. Depistimin e femrave asimptomatike për zbulimin e kancerit të gjirit në faza të hershme.

2. Vlerësimin e abnormaliteteve të gjirit në paciente simptomatike.

Gratë nga 40 vjeç e sipër duhet të ekzaminohen klinikisht çdo vit dhe të kryejnë po çdo vit mamografinë. Incidenca e kancerit të gjirit rritet me rritjen e moshës. Nuk ka një moshë të caktuar në të cilën depistimi nëpërmjet mamografisë duhet të ndërpritet. Për gratë e moshuara depistimi nëpërmjet mamografisë vlerësohet në bazë të gjendjes shëndetësore dhe cilësisë së jetës të pacientes. Qëllimi i depistimit të grave asimptomatike është të diagnostikohet kanceri në fazë sa më të hershme. Sa më herët diagnostikimi i sëmundjes aq më shumë rritet mundësia e mbijetesës.

A është i dhimbshëm ekzaminimi mamografik?

Ekzaminimi mamografik nuk është aspak i dhimbshëm dhe nuk mbart asnjë rrezik për pacienten (përndryshe nuk do të ishte një ekzaminim depistues), por duhet realizuar gjithmonë pas kalimit të ciklit menstrual në gratë që kanë ende mense (ditë në të cilat gjiri është më pak i dhimbshëm e më pak i enjtur).

Si mund të kurohet?

Trajtimi bazohet në:

– Tipin dhe stadin e kancerit

– Në sensistivitetin ndaj disa hormoneve

– Në ekspresivitetin e genit HER2.

Në përgjithësi trajtimi i kancerit të gjirit përfshin:

– Kimioterapi

– Radioterapi

– Kirurgji – kuadratektomi ose mastektomi.

Terapia hormonale aplikohet në rastet ER (estrogjen receptor) pozitive. Një shembull i terapisë hormonale është psh: Tamoksifeni, i cili bllokon efektet e estrogjenit.

Disa këshilla për gratë që hezitojnë të kontrollohen?

1 në 8 gra preket nga kanceri i gjirit. Vetë – ekzaminohuni rregullisht (sepse vetëëkzaminimi i gjirit është një mundësi e mirë për të zbuluar kancerin e gjirit në faza të hershme) dhe kryeni ekzaminim klinik pranë mjekut onkolog. Madhësia minimale e një kanceri gjiri i cili mund të kapet në ekzaminimin klinik është 1.5 deri në 2 cm. Kryeni rregullisht mamografi (në varësi të moshës), sa më herët diagnostikimi i sëmundjes aq më shumë rritet mundësia e mbijetesës.

Intervistoi: Vilma Kërçiku