Televizioni Klan ka arritur të sigurojë një kopje të kallëzimit penal që Policia e Shtetit referoi në Prokurorinë e Tiranës më datën 20 Shtator, ndaj firmës që kishte fituar tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Sipas kallëzimit, ka qenë Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse, që ka evidentuar shkelje të rënda në zbatim të kontratës nga firma “Marsi&Al” për 7 modele të uniformave, kryesisht të Policisë Rrugore: Xhup dimëror, pantallona dimri, pantallona vere, ripstop për Policinë Rrugore: pulover e trikotuar jakë V, kostum doku stërvitje, bluzë pambuku e trikotuar me mënge të gjatë dhe të shkurtra, këmisha bojë qielli me mëngë të gjata.

Nga akt kontrolli ka rezultuar cilësi e dobët e materialit me të cilin janë prodhuar uniformat, përmasat e të cilave nuk përkonin me ato të specifikimeve teknike, duke qenë më të vogla dhe në disa uniforma specifike ka rezultuar humbje e ngjyrës në masën 70 përqind, duke i bërë ato të papërdorshme

Në kallëzim sqarohet se, nëpërmjet 28 shkresave dhe korrespondencave të mbajtur me kompaninë në fjalë, që nga data 15 Prill deri në fund të muajt Gusht, Policia e Shtetit ka evidentuar mangësitë e përmbushjes së kontratës dhe është përpjekur që të gjejë zgjidhje, gjë e cila ose është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore, ose është neglizhuar tërësisht nga kompania “Marsi&Al”.

Më datë 2 Shtator, Policia i ka njoftuar kompanisë ndërprerjen përfundimtare të kontratës, duke i lënë afat 4 ditor për tërheqjen e mallrave nga qendra në Mullet.

uniformat policia

Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore, sipas kallëzimit, kompania “Marsi&Al”, ka dëmtuar prezantimin në komunitet të efektivave të Policisë së Shtetit. Ka penguar kryerjen e detyrave funksionale të Policisë së Shtetit. Ka ndikuar negativisht në realizimin e buxhetit të akorduar për vitin 2016 në Policinë e Shtetit.

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se rreth tre muaj më parë, në lidhje me të njëjtin tender ndaj kompanisë   “Marsi&Al” ka nisur një hetim për veprën penale të mashtrimit me pasoja të rënda dhe falsifikimit të dokumentacionit, pasi rezulton se rreth 28.000 uniforma për Policinë e Shtetit janë prodhuar në Shqipëri dhe jo në Turqi, siç pretendon kompania.

Tv Klan