Një shqiptar dhe një italian janë arrestuar në Greqi duke transportuar kanabis të llojit çokollatë.

“Protothema” raporton se dy të arrestuarit udhëtonin me një makinë Ford Focus. Autoritetet greke kishin marrë informacion se një 44-vjeçar shqiptar po trafikonte nga Shqipëria një sasi droge. Policia u vu në ndjekje të automjetit të dyshimtë.

Shtetasi shqiptar u arrestua në momentin sapo parkoi makinën në qytetin e Kavalas. Bashkë me të udhëtonte edhe italiani 57-vjeçar.

Gjatë kontrollit në mjet, policia zbuloi në pjesët e brendshme të dyerve 45 pako me kanabis çokollatë, me peshë totale 26.7 kg. Të arrestuarve ju sekuestruan edhe 700 Euro dhe 3 celularë. Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

/tvklan.al