Guardia di Financa e Barit ka sekuestruar mbi 500 kilogramë marijuanë, e cila ishte nisur nga Shqipëria. Kapja e kësaj sasie kanabisi ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare dhe autoriteteve italiane dhe malazeze.

Operacioni ka nisur më 1 Shkurt.

Nga pala italiane kanë dalë në det motovedetat, si dhe është aktivizuar një helikopter, i cili ka pikasur një gomone afërsish 10 metra të gjatë me dy motorrë të fuqishëm, e cila ishte drejtuar brigjeve të Barit.

Menjëherë, motovedetat italiane janë nisur për të ndaluar gomonen, që gjendej rreth 100 kilomentra distancë nga brigjet italiane.

Me të parë mjetet italiane, gomonia që mendohet se ishte nisur nga Shqipëria, ka ndryshuar drejtimin. Skafistët e kanë hedhur ngarkesën në det dhe u janë drejtuar ujërave territoriale të Malit të Zi.

Skafistët bashkë me gomonën kanë mundur të humbin gjurmët pasi kanë hyrë në kufirin detar të Malit të Zi.

Nëse do të kishte përfunduar në treg, droga do t’i sillte organizatës kriminale përfitime për afro 5 milionë euro.

Po të martën autoritetet italiane, kanë ndaluar një gomone 5 metra të gjatë, e cila drejtohej nga dy shtetas shqiptarë një 23 – vjeçar me inicialet M.F dhe tjetri 55 – vjeç me inicialet E.K.

Personat kishin deklaruar se e kishin blerë mjetin në Itali, por nuk dispononin dokumenta identifikimi personale po ashtu edhe të gomones. Mjeti lundrues ishte e ngarkuar me bidona benzinë.

Policia italiane bën të ditur se për 55 – vjeçarin ishte lëshuar edhe një vendim dëbimi nga shteti italian.

Tv Klan