Ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima ishte i ashpër me drejtuesit e Partisë Socialiste. Në një takim me socialistët e Tiranës, ish deputeti i Vlorës foli për një lëvizje të re brenda partisë më të madhe në pushtet.

“Politikanët nuk i mundësojnë dot popullit zgjidhje të lira. Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votim elektronik. Vjedhjen e votave e “mbolli” Sali Berisha, ndërsa e vazhdojnë edhe këta. Shqipëria do t`i vuajë këto pasoja edhe për 50 vite, kryetarët e partive shkatërruan zgjedhjet e lira e të ndershme. Ekonomia e vendit në gjendje të mjerë. Shumë të rinj po largohen nga Shqipëria”/ tvklan.al

Fjala e plotë

Të dashur të rinj e të reja, Të nderuar miq, Nënat dhe baballarët tuaj, rinia e atëhershme, inteligjenca dhe qytetarët e këtij vendi e përmbysën diktaturën komuniste sepse aspironin që Shqipëria të bëhej një vend demokratik ku të sundonte  liria e tregut dhe e konkurrencës, barazia e shanseve dhe mirëqenia, drejtësia dhe meritokracia, një demokraci kushtetuese ku populli sovran do të ishte zot i fateve të veta, një Shqipëri europiane që të pasurohej e fuqizohej çdo vit, një shoqëri që do të respektonte si të shenjta lirinë e fjalës, të drejtat njerëzore e politike të qytetarëve. Tani, pas 26 vitesh, këto shpresa dhe aspirata nuk u vërtetuan. Ata djem e vajza, ato gra e burra që përmbysën diktaturën tani janë 50 deri 80 e ca vjeçarë.

Një pjesë e tyre kanë ndëruar jetë, të tjerë janë thinjur, shumica kanë emigruar dhe pjesa dërmuese e të mbeturve këtu janë të zhgënjyer, të varfër e të palumtur, ndihen të shfrytëzuar, të përdorur, ndihen të shkelur, të mashtruar e të vjedhur. Kasta sunduese e tranzicionit, vetëm një grusht politikanësh nga të dy krahët dhe një grusht biznesesh të lidhura me ta, janë të lumtur në këtë vend. Shqipëria është bërë parajsa e tyre dhe ferri i popullit. Sot Shqipëria është një vend ekstremisht i varfër, tërësisht i korruptuar, i mbuluar nga trafiqet dhe papunësia. Zhvillimi i Shqipërisë mbahet peng nga problemet e pazgjidhura në vite. Ekonomia e vendit është në gjendje të mjerë. Pronës publike duket se i është shpallur luftë. Edhe ajo që ka mbetur vidhet e keqmenaxhohet.

Në institucionet e shtetit ka kaq shumë tutkunë, kusarë e dembelë, zyrtarë arrogantë e të paskrupullt. Gjithë njerëzit e mirë që kanë mbetur në administratë, duken si të leshtë në këtë mjedis dëshpërues që sundon. Shteti ynë s’di të bëjë asnjë punë tjetër përveç se të marrë borxhe joefektive, të bëjë tendera të manipuluar e të japë koncensione turpëruese për interesat e ekonomisë tonë. Vendi ynë nuk është më tërheqës për investime.

Mbi 60 mijë forca të afta emigrojnë çdo vit. Të gjithë të rinjtë janë gati të ikin nga Shqipëria me mundësinë e parë që t’u krijohet. Ky eksod dramatik ka prekur edhe shqiptarët e trevave të tjera në Ballkan. Çfarë do të ndodhë në 10­20 vitet e ardhshme nëse kjo situatë do të vazhdojë kështu? Shqipëria do mbetet me 1,2 deri 1,4 milionë njerëz, kryesisht me pleq dhe të sëmurë, apo të paaftë e injorantë, padyshim edhe me të korruptuar e kriminelë dhe me një dyzinë me leshko e intrigantë të rregjimit. Do t’i kemi këtu edhe kryetarët e lumtur e të përjetshëm të partive të cilët, do u fanepsen njerëzve edhe në gjumë, do u dalin përpara në çdo çast, jo vetëm sa herë që të hapin televizorët, por edhe kur të hapin frigoriferët!

Me të drejtë na lindin disa pyetje: Pse punët e Shqipërisë shkuan keq në këto vite të këtij tranzicioni? Pse nuk u realizuan ëndrrat dhe aspiratat e prindërve tuaj? Pse ekonomia e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë ka ecur më mirë se ekonomia e Shqipërisë? A besoni ju se socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë, mund ta ndryshojnë gjendjen dhe të kthejnë shpresën, punën, pasurinë dhe mirëqenien në këtë vend? Lidershipi i PS­së e di se Shqipëria është një vend i korruptuar, por, sipas tyre, nuk e kanë fajin njerëzit, por sistemi. Kush e ka ndërtuar dhe kush e mban në këmbë këtë sistemin mëkatar që po korrupton njerëzit tanë?! Ne jemi një vend me demokraci kushtetuese që përpiqemi të ndërtojmë kapitalizmin.

Lidershipi i Partisë Socialiste nuk e ka fjalën për sistemin kapitalist në vendet europiane apo në Amerikë, kur i vë gishtin shkaktarit që korrupton administratën e Shqipërisë dhe dëbon investimet e huaja, siç dëbon rininë çdo ditë nga atdheu ynë!! Ai e ka fjalën për sistemin politik në Shqipëri, që nuk ngjan me sistemin e asnjë vendi demokratik në botë. Në Shqipëri sundon një sistem i përçudnuar e i dështuar, sundon shëmtimi i kapitalizmit, shpërfytyrimi i demokracisë, sundon regjimi i partitokracisë, ose regjimi i kryetarëve të partive! Këtë regjim, këtë sistem restauruan e konsoliduan Berisha e Rama me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Populli shqiptar është i zhveshur nga çdo atribut i ushtrimit të vullnetit të tij përmes votës së drejtpërdrejtë. Populli nuk zgjedh dot presidentin, nuk zgjedh kryeministrin, nuk zgjedh deputetin, këshilltarin e bashkisë, kryetarin e bashkisë; nuk zgjedh gjyqtarët, ndihmësgjyqtarët, prokurorët, asnjë lloj përfaqësuesi, asnjë përfaqësues të vetëm për be. Populli nuk voton dot në referendume lokale dhe as në referendume kombëtare, nuk voton dot në mënyrë të drejtpërdrejtë as ligje, çështje apo qëndrime. Të gjithë përfaqësuesit i zgjedhin kryetarët e partive.

Sa më të paaftë të jenë ministrat dhe zyrtarët, aq më i pashpresë është populli, por aq më të lumtur e më me shkëlqim ndihen kryetarët! Nëse një deputet diskreditohet në qarkun e Vlorës, nuk ndodh asgjë. Ai do bëhet prapë deputet sepse e do kryetari. Kryetari e transferon në Lezhë në zgjedhjet që vijnë. Populli voton, kryetarët zgjedhin! Ky është sistemi i degjeneruar i partitokracisë! Themeli i demokracisë kushtetuese bazohet te vota e lirë e qytetarëve, te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndër të gjitha krimet, më i rëndi është vjedhja, trafikimi dhe manipulimi i votës së popullit, vjedhja dhe ndotja e zgjedhjeve. Saliu e mbolli në Shqipëri kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve. Nga manipulimi i zgjedhjeve, nga trafikimi, blerja dhe vjedhja e votave nuk fitojnë socialistët dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë.

Nga manipulimet e zgjedhjeve fiton vetëm kasta sunduese. Një çerek shekulli demokraci dhe këta politikanë nuk i mundësojnë akoma Shqipërisë zgjedhje të lira e të ndershme. Udhëheqësit e majtë, në vend që të distancoheshin prerazi nga kultura e vjedhjes së zgjedhjeve që mbolli Saliu, i vajtën pas atij modeli dhe të dy palët rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve ku populli voton dhe kryetarët numërojnë votat! Ky është sistemi i kalbur i partitokracisë! Pastrimi i zgjedhjeve kërkon votimin elektronik në qendrat e votimit, numurimin elektronik, administratë zgjedhore jo partiake, lejimin e emigrantëve tanë për të votuar në qendrat e votimit pranë zyrave të konsullatave dhe ambasadave tona, kontrollin e rreptë dhe të plotë mbi financimin e zgjedhjeve dhe një paketë masash ligjore për të kriminalizuar dhe dënuar ashpër çdo shkelje në procesin elektoral, shitjen dhe blerjen e votës, trafikimin, tjetërsimin e devijimin e saj të çdo forme. E njëjta pamje është në çdo sektor të jetës së vendit, brenda dhe jashtë partive, në institucionet e shtetit dhe në tregun e punës e sipërmarrjes. Nuk bëhet fjalë më për konkurencë të hapur e të ndershme, harrojeni konkurencën perfekte, nuk bëhet më fjalë për meritokraci e shanse të barabarta, nuk flitet më as formalisht për barazi të operatorëve në tregje.

Institucionet e shtetit janë ndarë si parcela dhe çifliqe të partive ku inkubohen vota e trafikohen interesa përmes punësimeve, të drejtave, lejeve, miratimeve, projekteve, buxheteve etj. Për të punuar atje, në çdo nivel e pozicion, që nga roje e deri te titullar i institucionit, të duhet patjetër të sigurosh mbështetjen e një kryetari, të punosh për një kryetar. Ky është regjimi i falimentuar i partitokracisë! I kemi dëgjuar kryetarët e partive gjatë gjithë tranzicionit të përbetohen se do të luftojnë për drejtësi, progres e mirëqenien e njerëzve. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Papërgjegjshmëria e tutkunëve të shtetit shkatërroi jo vetëm të sotmen, por edhe të ardhmen e popullit tonë. Ata e goditën rëndë arsimin parauniversitar në këto 25 vite, përmes fiktivitetit në menaxhimin e maturave shtetërore, paaftësinë në ndërtimin e kurrikulave, sharlatanizmit në zgjedhjen e teksteve, mungesës së transparencës dhe pandershmërisë në zgjedhjen e mësuesve, kush meriton ku; përmes cilësisë së ulët të përzgjedhjes së studentëve që u përgatitën në universitetet tona si mësuesit e ardhshëm. Ata injoruan dhe shpërfillën gjithë ekspertizën e mirë në vend, eleminuan tërësisht debatin e shëndoshë me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit në arsim, imponuan me politikën e faktit të kryer zgjidhje e interesa partiake dhe prodhuan njerëz të paaftë për jetën. Shqipëria do t’i vuajë këto pasoja edhe 50 vite të tjera. Pa rolin, protagonizmin dhe ndihmën e qytetarëve të thjeshtë, mësuesve, nxënësve, prindërve dhe socialistëve të bazës, këto çështje nuk mund të zgjidhen. Ndërtimi i regjimit të partitokracisë, restaurimi i diktaturës qesharake të kryetarëve dhe instalimi i tiranisë së skamjes dhe korrupsionit, ka vënë në rrezik sigurinë, ekzistencën dhe interesat e larta kombëtare të popullit shqiptar!

Kasta sunduese në Shqipëri dhe partitokracia mbajnë njëra¬tjetrën. Tregu politik dhe ekonomik është në situatë oligopoli. Mund të ndërrohet populli, por jo kasta. Ajo nuk përtërihet me votë. Kasta nuk çahet! Kasta nuk thyhet. Askush nuk hyn dot në politikë jashtë pëlqimit të kryetarëve. Nuk vlen të shërbesh popullin. Nuk kanë rëndësi programet, idetë, platformat. Rolin e sovranit tani e kanë marrë kryetarët. Kryetarët e manipulojnë sovranin! Ata kanë kurorëzuar veten në vend të sovranit.

Kryetarët shkatërruan institucionin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, instaluan sistemin e partitokracisë, prishën konkurrencën në politikë dhe në ekonomi, shpërbënë standardet, kulturën, institucionet dhe kapacitetet e partive politike dhe i kthyen ato në bashkësi parapolitike, shkatërruan rendin dhe sistemin e vlerave në shoqëri, rrëzuan meritokracinë, e mbushën administratën dhe qeverinë me tutkunë, injorantë e të paaftë, një pjesë e mirë e tyre u dhanë pas ëndrës për t’u pasuruar përmes politikës dhe tradhëtuan interesat e larta të popullit tonë. Këto janë arsyet kryesore përse dështuan aspiratat e prindërve tuaj në këto 25 vjet. Partia Socialiste ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz besnikë e atdhetarë, qytetarë shembullorë dhe familjarë të dhimbsur. Ajo vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, është një parti autokratike. Drejtimi është arbitrar. Në mjedisin e saj sundon bullizmi. Është e mbyllur për debatin, për mendimin ndryshe. Nuk është në gjendje që të përfshijë socialistët e thjeshtë dhe qytetarët në politikëbërje e në mirëqeverisje. PS nuk funksionon me rregulla, nuk garanton të drejtat statutore të anëtarësisë, nuk ka ekspertizë, nuk prodhon raporte, nuk respekton procedura dhe standarde. Përfaqësuesit emërohen nga lart. Drejtuesit nuk japin llogari dhe nuk kontrollohen në asnjë formë.

Ata janë të shkëputur nga baza, e shfrytëzojnë bazën e partisë dhe elektoratin, por nuk e përfaqësojnë dhe nuk e shërbejnë atë. Partia Socialiste nuk mund të reformohet nga lart, sepse nuk kanë vullnet drejtuesit e saj. Ajo mund të reformohet vetëm me ligj dhe nga poshtë, me vullnetin, energjinë dhe presionin e socialistëve të bazës dhe qytetarëve të vendit. Lëvizja jonë ka vendosur ta bëjë këtë reformim nga poshtë dhe me ligj./

tvklan.al