Kombëtarja do të luajë një miqësore me Bosnjë Hercegovinën pas sfidës me Italinë, një test edhe për ata të cilët nuk do të jenë në fushë më 24 mars në Palermo.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi përballjen që do të luhet më 28 mars në Elbasan, ndërsa mbetet të vendoset orari i ndeshjes.

Përfaqësuesja boshnjake është e njohur për Kombëtaren, pasi ka patur edhe ndeshje të mëparshme miqësore dhe zyrtare.

Sezoni i fundit ishte në kualifikueset e Euro 2012. Ndeshja në Tiranë përfundoi në barazim 1 – 1, ndërsa ajo e kthimit në Zenica u fitua me rezultatin 2 – 0 nga Bosnje Hercegovina.

Kjo skuadër ka në përbërje emra të njohur si mesfushori Miralem Pjanic apo sulmuesi Edin Dzeko. Shqipëria është rivali i parë që pati përfaqësuesja e Bosnje Hercegovinës pas njohjes nga FIFA dhe UEFA në vitin 1995./ TV KLAN