Rritja me 20% e çmimit të siguracionit për të gjitha kategoritë e makinave, e pranuar zyrtarisht edhe nga AMF, është kundërshtuar nga përfaqësues të biznesit në vend.

Konfederata e Industrive të Shqipërisë thotë se rritja e bërë në të njëjtën kohë nga të gjitha kompanitë shpreh qartësisht gjendjen oligopol të tregut të sigurimeve me pasoja të rënda për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare.

Sipas Konfindustrisë në harkun kohor të më pak së dy viteve, tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë rritur në pothuaj 300% për mbi 500 mije automjete të biznesit dhe qytetarëve, dhe kjo tregon paaftësi të shtetit për të reaguar, pasi është i kapur nga korrupsioni.

AMF nga ana e saj ka deklaruar se po analizon mënyrën dhe procedurën e ndjekur nga shoqëritë e sigurimit, në përcaktimin e tarifës së primit të sigurimit. Por ata që po e vuajnë këtë tarifë janë qytetarët, të cilët ende pa u sqaruar për mënyrën e aplikuar, vazhdojnë të nxjerrin nga xhepat me shumë para. Edhe AMF po heton, qytetarët vazhdojnë t’i paguajnë siguracionet me çmimet e shtrenjtuara.

AMF ka deklaruar se në formimin e çmimit të siguracioneve prej 20%, 7% është nga efekti rritjes së taksës mbi primin e shkruar bruto në Janar të këtij viti nga 3% në 10%, ndërsa pjesa e rritjes prej 13% po analizohet.

Konfindustria në reagimin e saj thotë se do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrë sa më shpejt nismën për rishikim të plotë të legjislacionit dhe mënyrës sesi është ndërtuar dhe funksionon tregu i sotëm oligopol i sigurimeve dhe shqyrtim të thelluar të punës së deritanishme të AMF dhe Autoritetit të Konkurencës për mënyrën e zbatimit të përgjegjësive të tyre ligjore.

Tv Klan