“Çështja çame” ka shkaktuar një tjetër tension, ku protagonistë nuk janë më Shqipëria dhe Greqia, por Athina  zyrtare dhe Bashkimi Europian. Përmes një letre drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotsias kritikon zyrtarin e lartë të Brukselit për trajtimin në “mënyrë të papërgjegjshme dhe joserioze, pa u konsultuar apo hulumtuar në mënyrë të plotë për një çështje, që sipas tij, Greqia ia ka bërë të qartë Komisionit Europian.

“Unë përfitoj nga ky rast për të përsëritur edhe një herë qëndrimin tonë të fortë për këtë çështje. Për Greqinë, nuk ka asnjë “çështje çame”. Prandaj, nuk ka pasur dhe kurrë nuk do të jetë një çështje e tillë për axhendën shqiptare greke.”

I ashpër duket në letrën e tij edhe kur i drejtohet Komisionerit Hahn, duke i kujtuar këtij të fundit të korrigjojë deklaratën e bërë pak ditë më parë për çështjen çame, që sipas tij, është futur aksidentalisht ose enkas në axhendë, në kundërshtim me funksionin e komisionit. Në të kundërt, Ministri i Jashtëm i Greqisë paralajmëron se përfshirja e “çështjes çame” në progres – raport do të ketë pasoja të rënda në raportet mes Greqisë dhe vetë Unionit.

“Nëse Komisioni do të miratojë argumentet nacionaliste të atyre që këmbëngulin në rivendosjen e një problematike jo – ekzistente, kjo do të përbënte pranimin e një tregimi revizionist të historisë europiane, e cila do të frymëzonte irredentizmin, duke rikthyer në shumë pjesë të kontinentit çështje të zgjidhura në mënyrë të pakthyeshme menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme që të mos ketë  eferencë të ngjashme mashtruese në raportin e progresit për Shqipërinë, pasi kjo do të kishte pasoja shumë serioze në marrëdhëniet tona”.

Kotzias i kërkon gjithashtu Shqipërisë të sillet si një vend i denjë aspirant për anëtarësim në Bashkimin Europian, teksa i kujton përmbushjen e 5 prioriteve kyçe.

Tv Klan