Në një takim me të rinjtë e LRI në Tiranë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim komentoi krizën politike të muajve të fundit, duke e konsideruar atë artificiale. Kreu i LSI u shpreh se të tilla kriza rrënojnë ekonominë. Kjo krizë, sipas Vasilit i tregoi qytetarëve se e vetmja forcë politike që u investua për zgjidhje ishte LSI.

“Politika të cilat shpikin furtuna në gotë, të cilat shpikin kriza artificiale për t’i shtuar rëndësinë vetes artificialisht, për t’u dukur më të rëndësishëm se sa janë, por njëkohësisht duke u treguar edhe më artificial se sa janë, duke prodhuar kriza, që rrënojnë ekonominë, kriza të cilat pastaj pa u kuptuar marrin disa përgjigje që askush nuk i kupton, por që nuk kanë asnjë përgjigje për qytetarët e vërtetë, këto nuk janë as politika jonë, as qasja jonë. 

Ndaj edhe ato që ndodhen javën dhe muajt e fundit, rrufetë e ndërsjellta që u dukën më së fundmi që në vend të rrufeve të vërteta ishin fishekzjarre, por që dogjën shumë para të ekonomisë shqiptare, ishin provë e vetme edhe e bindjes së vetme që njerëzit krijuan përpara gjithë vetes tyre: ishte që e vetmja forcë politike, LSI-ja, u investua edhe në zgjidhjen e kësaj krize, duke dhënë gjithçka në dispozicion për të kursyer halle dhe dhimbje të panevojshme të popullit dhe halle dhe dhimbje të panevojshme ekonomisë shqiptare”.

Të rinjve Vasili u tha se kryefjala e programit elektoral të LSI, është programi për punësimin e tyre.

“Më 25 qershor LSI-ja do të jetë forcë e parë politike, pasi themeli ynë është i mbështetur te LRI. Ne duhet patjetër t’i kthejmë një përgjigje papunësisë së të rinjve që është në masën 30 për qind. 

Dhe objektivi ynë, është përgjysmimi i menjëhershëm që në 4 vitet e para. Arsimi, jeta e të rinjve dhe e familjeve shqiptare u bë skëterrë nga kjo dhimbje e madhe e papunësisë. Një shtet e një qeveri matet me atë ç’ka bën për të rinjtë dhe nuk mund të jetë objektivi i fundit. Ne kemi si qëllim që të jemi forcë e parë, pasi kemi programin e parë për mbështetjen e të rinjve. Ne e kemi bazuar politikën tonë me atë që duam të qeverisim nesër, me sinqeritetin, fjalën e mbajtur dhe modestinë”

, – u shpreh Kryetari i LSI-së, duke shtuar se synimi për të qeverisur vendin, vjen nga një bazë shumë shëndetshme dhe nga një detyrim i patjetërsueshëm. /tvklan.al