Arritja e një konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm duket e largët. Ftesën e përsëritur të Kryeministrit Edi Rama për të bashkëpunuar me opozitën, Lulzim Basha duket se nuk ka gjasë ta pranojë. I pyetur pas aktivitetit të 27- vjetorit të Ditës së Rinisë, ai tha këtë përgjigje: 

“E keqja është e destinuar të dështojë, e mira do fitojë”.

Interesit të gazetarëve nuk i shpëtoi as ish-Kryeministri Sali Berisha, por ky i fundit ka preferuar të qëndrojë larg këtij debati, duke mos komentuar idenë e një takimi të ngjashëm si ai i 18 Majit, mes pasuesit të tij në parti dhe Kryeministrit Rama.

“Dolën në 90-ën në një betejë epike me diktaturën më të egër dhe me liderin e tyre, Azem Hajdari. Sot, kjo është axhenda ime”.

Të enjten Kuvendi shpalli zyrtarisht vakancën për vendin e Kryeprokurorit të Përkohshëm, pas hapjes së procedurave nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve. Opozita e cilësoi antikushtetuese procedurën e ndjekur nga mazhoranca me argumentin se sipas Kushtetutës mbarimi i mandatit konstatohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ i cili nuk është ngritur ende nga parlamenti për shkak të mungesës së kandidatëve të sjellë nga shoqëria civile. Por socialistët argumentuan se Adriatik Llalës i ka përfunduar mandati 5-vjeçar dhe se nuk ka hapësirë ligjore për shtyrjen e tij.

Tv Klan