Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea është kthyer në Shqipëri. Ajo u largua të premten, një ditë përpara së Gjykata e Lartë të merrte vendimin për pezullimin e saj nga detyra, si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Ajo akuzohet nga Prokuroria se ka marrë 50 mijë euro për të dhënë një vendim për t’u njohur pronësinë e 40 hektarëve tonë në Butrint shtetasve Petraq Dashi dhe Ilia Çabiri.

Dy personat në këtë foto, që kanë dhënë paratë, janë arrestuar.

cabiri-dashi

Gjyqtarja Andrea u largua me bashkëshortin, për të cilin gjykata ka vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi akuzohet si sekser në këtë çështje. Me vete ata kishin edhe dy fëmijët.

Të dhënat e sistemit TIMS, të siguruara nga Televizioni Klan tregojnë se të premten e 15 Korrikut, në orën 20:46 minuta, gjyqtarja ka dalë nga porti i Durrësit për të udhëtuar për në bari me tragetin SNAV Lacio.

I pari, në kontrollin e policisë në Portin e Durrësit ka kaluar bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, 1 minutë përpara gjyqtares, ekzaktësisht në orën 20:45 minuta.

Një ditë pas largimit të çiftit Andrea, mbrëmjen e së shtunës, Gjykata e Lartë vendosi masën e pezullimit nga detyra për gjyqtarën dhe të arrestit me burg për bashkëshortin e saj.

Pasi ka qëndruar dy ditë jashtë vendit, gjyqtarja është kthyer në Shqipëri. Ajo ka hyrë sërish nga porti i Durrësit, me tragetin “Duni” të nisur nga Bari.

Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se ajo e ka kaluar Policinë Kufitare në orën 9 e 7 minuta të kësaj të hënë, të 18 Korrikut.

Bashkëshorti i saj nuk ka hyre në Shqipëri, duke iu shmangur kështu drejtësisë dhe vazhdon të jetë i shpallur në kërkim.

Pas sigurimit të të dhënave se ai ka kaluar jashtë vendit, autoritetet pritet ta shpallin atë në kërkim ndërkombëtar.

Tv Klan