Do të ashpërsohet ligji ndaj thertoreve që nuk plotësojnë standardet e kërkuara.  Në përfundim të fazës së parë të inspektimit të thertoreve dhe disiplinimit të tyre në vend, kreu i qeverisë Edi Rama tha se ky operacion i ndërmarrë rrit sigurinë ushqimore në vend. Nga 110 pika therjeje, më shumë se gjysma e tyre ishin të  licencuara jashtë standarteve ligjore.

 “Ky është një operacion që do krijojë vlerë të shtuar, sepse do rrisë në mënyrë të ndjeshme punësimin dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme ekonominë e fshatit dhe patjetër hap rrugën e eksporteve. Jemi i vetmi vend në rajon, që nuk arrijmë të eksportojmë mish, për arsyen e thjeshtë se nuk arrijmë dot prej 27 vitesh ta therim normalisht, ta certifikojmë normalisht, sipas standardeve të sigurisë dhe pastaj ta nxjerrim në treg . Kjo është një gropë e madhe në ekonomi. Kjo është një situatë nga ato që ne duhet ta zhbllokojmë dhe po e zhbllokojmë. Kështu që, kush është mësuar të therë në mënyrë të paligjshme, ta harrojë. Ne do forcojmë edhe ligjin. Ligji do të jetë drastik për çdo aktivitet të këtij lloji.”

Kreu i qeverise i bëri këto deklarata pas inspektimit në një stabilimentet modern të therjes së mishit, në qytetin e Shkodrës.

/Tv Klan