Kryeprokurori Adriatik Llalla, nga studio e emisionit “Opinion” u ka qëndruar akuzave të forta të lëshuara në drejtim të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu për shantazh ndaj tij dhe institucionit që ai drejton.

Numri një i organit qendror të akuzës tha se Ambasadori Lu ka penguar hetimet për 3 deputetë. Këtë akuzë ai e lidhi me rrëzimin në gjykatë të kërkesës së Prokurorisë për të bllokuar serverin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.

Kryeprokurori vijoi me akuzat ndaj Ambasadorit, duke thënë ai ka propozuar ish – punonjës të Sigurimit të Shtetit në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Ai përsëriti akuzën për “Bankers Petrolium”. Llalla sqaroi edhe arsyen e revokimit të vizës.

Kreu i organit qendror të akuzës tha se në dy vjet ambasadorë të ndryshëm i kanë kërkuar arrestimin e zyrtareve te larte, por pa prova. Ai u shpreh se ka nisur hetimet edhe për deklaratat e ish – Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ndërsa për herë të parë komentoi edhe arsyet e largimit të familjes nga Shqipëria.

Prokurori i Përgjithshëm foli edhe për mosarrestimin e Kelmend Balilit, duke thënë se nuk është detyra e tij të prangosë njerëz dhe se ai mund të arrestohej nga policia, nëse do të gjendej që në datën 17 Maj, ditë kur doli urdhër-arresti ndërkombëtar për të nga Interpol Athina.

Tv Klan