Personi i vetëm që mund të hedhë sadopak dritë në lidhje me autorin e sulmit në Las Vegas është kthyer në Amerikë nga Filipinet.

Sipas mediave, e dashura e Stephen Paddock, Marilou Danley, 62 vjeç, është takuar në aeroportin e Los Angeles me disa agjentë të FBI-së.  Investiguesit e shikojnë Danley si një “person me interes të lartë” për hetimet.

Autoritetet në SHBA, Filipine dhe Australi ishin përfshirë në kërkimin e Danley, e cila sipas CNN, udhëtonte me një pasaportë australiane. Nga mediat mësohet se ajo ka qenë në Filipine gjatë kohës që ka ndodhur sulmi.

Stephen Paddock vrau 59 persona dhe plagosi 527 të tjerë në Las Vegas, në një nga sulmet më të rënda me armë në historinë e SHBA-së. Ai vrau më pas veten në një dhomë në katin e 32-të të hotelit, të cilën e përdori si pikë për të qëlluar ndaj njerëzve që po merrnin pjesë në një festival muzikor.

Paddock ka përdorur edhe kamera për të vëzhguar lëvizjet e policisë në hotel gjatë sulmit duke përfshirë këtu edhe një kamerë që e kishte vendosur tek vrima e çelësit të dhomës.

Mësohet se autori i sulmit ka transferuar 100.000 dollarë në Filipine disa ditë para masakrës. Hetuesit u munduan të hetojnë transaksionin bankar dhe mendohet se ka disa dokumente financiare, të cilat tregojnë se Paddock ka luajtur në kazino shuma të mëdha parash, deri në 10.000 dollarë në ditë.

/tvklan.al