Partia Demokratike ka hedhur poshtë sot emrat e përmendur nga disa media si kandidatë për ministra teknikë pas marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e krizës politike në vend, si dhe emrat në listat e pretenduara të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Zyra e shtypit të Partisë Demokratike tha se “hedhin poshtë të gjitha përsiatjet në media, për emrat e ministrave teknikë, dhe për emrat e kandidatëve për deputetë.”

“Ministrat teknikë që do propozohen nga PD sipas marrëveshjes së 18 majit, do të jenë gardianë të zbatimit të marrëveshjes në funksion të garantimit të votës së lirë, përmes luftës ndaj drogës, parave të drogës, krimit, dhe moslejimin e shfrytëzimit të administratës për interesa elektorale. Nga baza demokrate janë propozuar mbi 1700 kandidatura për deputet përmes një procesi të hapur edhe për qytetarët.”

Deri ditën e nesërme Partia Demokratike pritet t’i propozojë kryeministrit Edi Rama emrat për gjashtë ministrat teknikë, zv/kryeministrin dhe për drejtoritë e rëndësishme të rënda dakord në marrëveshjen që i dha fund krizës politike në vend dhe i hapi rrugë pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.

Javën e ardhshme po ashtu Partia Demokratike do të përcaktojë edhe listën e kandidatëve për deputetë, me të cilët do të konkurrojë në zgjedhjet e 25 qershorit./tvklan.al