kodheliiMinistrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka shpenzuar rreth 1 milionë dollarë për rinovimin e zyrave dhe tualeteve të saj në ambientet e reja të Ministrisë së Mbrojtjes.

Burime të sigurta brenda Zyrës së Ministres, pohojnë se janë shpenzuar plot një miliardë lekë për rinovimin e zyrës së Ministres Kodheli dhe stafit të saj të ngushtë, për infrastrukturën e rrjeteve si dhe tualete.

Një shumë marramendëse, që do të shërbente edhe për ndërtimin nga e para të një godine të re, jo më thjeshtë dhe vetëm për rinovimin e disa zyrave.

Më konkretisht, vetëm për zyrat e reja të Ministres Kodheli, Zv/ministrave dhe këshilltarëve të saj janë shpenzuar plot: 50.172.320 lekë të reja me TVSH.

Vetëm infrastruktura e shtrimit të kabllove dhe rrjeteve, theksojmë këtu, jo ato të sigurisë së veçantë, ka kushtuar plot: 46.788.060 lekë të reja me TVSH.

Ndërsa vetëm reabilitimi i disa tualeteve, sigurisht me i kushtueshmi ai brenda zyrës së Ministres Kodheli, ka kushtuar: 8.656.691 lekë të reja me TVSH.

Kosto, që në total të këtyre shpenzimeve kap shifrën e 105.617.071 lekë të reja me TVSH.

Shpenzime marramendëse po të keshë parasysh krizën ekonomike dhe rënien e të ardhurave në rang kombëtarë. E nëse për të mbushur sado pak arkën e brishtë të shtetit, qeveria nuk nguron të presë drita e të fusë në burg debitorë, vetëm e vetëm se nuk mund të shpërdorohet xhepi i shtetit, duket se në Ministrinë e Mbrojtjes ky xhep është shpuar paksa dhe Ministrja Kodheli i ka rënë me top shpenzimeve për akomodim luksi të saj dhe stafit të saj.

Por, ajo që e bën akoma më të rëndë këtë shpenzim luksi të Ministres Kodheli është mënyra e tenderimit një miliardësh për luksin në zyrat e reja.

Ministrja Kodheli ka preferuar që këtë tender ta parapërcaktojë për firmën fituese, pasi ka zgjedhur jo tenderimin e hapur por atë të mbyllur e të kufizuar me negociim.

Ky variant tenderimi sipas ligjit të prokurimit publik, bëhet vetëm në rastin kur kemi të bëjmë me tenderime me objekt strategjik dhe kur produkti mban një rëndësi të veçantë dhe përmbajtje sekrete.

Por se çfarë përmbajtje sekrete përmbajnë banjot e Znj. Kodheli, parketi i ri, kolltuqet dhe tavolinat e reja të zyrave të saj, vetëm Ministrja Kodheli dhe grupi prokurues brenda Ministrisë së Mbrojtjes mund të japin shpjegim.

Aspak sekret dhe të rëndësisë së veçantë nuk janë as kabllot e reja të shtruara, që kanë kushtuar rreth 50 milionë lekë të reja, pasi sistemi i komunikimit me NATO-n dhe Qendra Operacionale kanë qëndruar në zyrat e vjetra, ku aktualisht janë transferuar Ministria e Financave dhe ajo e Ekonomisë.

Kjo është shkelja më e rëndë, përveç shpenzimit marramendës me shifra stratosferike, që Ministrja Kodheli ka bërë. Përdorimi i prokurimit të kufizuar për mallra dhe shpenzime që i përkasin prokurimit të hapur.

A duhet marrë parasysh kjo shkelje e rëndë e ligjit të prokurimit publik të kryer nga Znj. Kodheli nga organi i akuzës? Kjo mbetet për tu parë. Por nëse vazhdon kështu me këto shpenzime luksi, Znj. Kodheli shumë shpejt do e nxjerrë edhe Ministrinë me këpucë të kuqe.

Tv Klan