“Qytetar nderi i Durrësit” pas vdekjes. Ky ishte vlerësimi për mjeshtrin e skenës, Mirush Kabashi, në ditën e tij të lindjes. Ceremonia e dhënies së titullit për aktorin u zhvillua në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Të pranishëm në aktivitet ishin dhe familjarë të artistit. E bija, Mendi Kabashi, mes emocionesh veçoi lidhjen e tij me Durrësin. Vlerësimi më i madh për të ishte publiku durrsak, më shumë se çdo titull u shpreh ajo, duke zbuluar se dhe nipi mban emrin e gjyshit, Mirush.

Mendi Kabashi: E kujtoj ashtu të qeshur, karizmatik, ashtu gjithë dashuri. Ai përçonte dashuri në çdo pore. E kujtoj me shumë mall.

Regjisorja Driada Dervishi, duke folur për vlerat e Mirush Kabashit, e cilësoi si një takim të veçantë, edhe për intervistën e fundit të aktorit që u dha gjatë aktivitetit duke përcjellë emocione te publiku.

Driada Dervishi regjisore: Na ka lënë një intervistë që për mua është një testament i mrekullueshëm artistik me të gjithë rrëfimin e një jete në skenë e jo vetëm. Me copëza ku falënderon të gjithë kolegët e tij dhe publikun e Durrësit e ata që e kanë ndjekur kudo.

Aishe Stari, aktore: Gjërat të jepen në kohë, t’i gëzojnë ata që i meritojnë. Kënaqësinë e këtij titulli ta merrte Mirushi, jo të ngelte si një relike atje në shtëpi.

Mirush Kabashi u nda nga jeta më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë, me një kontribut të çmuar, ku numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma. I vlerësuar me shumë tituj brenda dhe jashtë vendit, midis të cilëve “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Klan News