Victor Osimhen konfirmon Udinesen si prenë e tij të preferuar. Sulmuesi nigerian shënon thuajse gjithmonë sa herë përballën me skuadrën nga Friuli, diçka të cilën e realizoi edhe në barazimin e 1-1 të javës së 35-të të Serie A. Një gol që barazon rekordin e mbajtur nga Dries Mertens dhe Gonzalo Higuain pasi 25-vjeçari ka shënuar gol në 6 rastet e fundit kur është ndeshur me Udinesen.

Ai u bë lojtari i tretë që shënon në gjashtë ndeshje radhazi kundër një skuadre të vetme në elitën e futbollit italian në epokën kur fitorja vlen 3 pikë. Sa i përket Higuian dhe Mertens, dyshja kishin të preferuar një skuadër të vetme, Bolonjën. Osihmen ka shënuar 15 gola dhe tre asiste në 23 ndeshje të kampionatit për jugorët.

Formë që e mban ish-kampionët e Italisë në vendin e tetë dhe në garë për një vend në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Osimhen u nënshkrua nga Napoli në vitin 2020 nga Lille për 70 milionë Euro, rekord i klubit italian, plus 10 milionë Euro në formë bonusi.

Pavarësisht nënshkrimit të një zgjatjeje kontrate me klubin italian deri në vitin 2026, duke përfshirë një klauzolë të re lirimi mbi 100 milionë Euro, ka spekulime se për 25-vjeçarin ka interes nga shumë skuadra të tjera. Chelsea është ndër favoritët për të nënshkruar me nigerianin, megjithatë, ai është paralajmëruar të mos bashkohet me dy herë kampionët e Evropës.

Klan News