Opozita nuk është shumë optimiste për të ndërhyrë në disa nga ligjet e reja të sistemit të drejtësisë, për të cilat ka rekomandime nga Gjykata Kushtetuese. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha në një prononcim për Klan Plus se, edhe pse nuk i kanë votat e mjaftueshme, ata do të vazhdojnë axhendën e tyre.

Qoftë me të gjitha ligjet e drejtësisë në tavolinë apo edhe vetëm 4 për të cilat Kushtetuesja ka dhënë vendim, Partia Demokratike do të ofrojë konsensusin e saj. Megjithëse nuk u votua në këshillin e legjislacionit që të rishihen të gjitha ligjet, për të cilat Kushtetuesja nuk dha dot vendim për për mungesë kuorumi, refuzimi i mazhorancës, duket se ka stepur dhe PD. E pafuqishme në vota, Enkelejd Alibeaj thotë se opozita do të sjellë variantet e veta për këto nisma.

Megjithatë përsa i përket retorikës politike, mbledhja e këshillit të legjislacionit, e datës 29 Janar, duket se do të jetë një përsëritje e asaj të së premtes së kaluar. Opozita do këmbëngulë të rihapen të gjitha ligjet e drejtësisë për të cilat ka pasur ankesa në Kushtetuese, ndërsa mazhoranca e ka përjashtuar këtë opsion kategorikisht.

Ligji i vetingut, pjesë e nismave që PD kërkon të rihapen, që prej miratimit të tij u dërgua 3 herë në Gjykatën Kushtetuese, e cila dy herë rrëzoi ankesat, ndërsa të tretën për shkak të mungesës së kuorumit dha një rekomandim sesi duhej të zbatohej neni që ankimohej.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Elona Gjylmi