Qeveria franceze i jep 50 milionë euro kredi Shqipërisë për të mbështetur sektorin e energjisë financiarisht. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë mes qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për reformën në sektorin e energjisë.

“Është në fakt në vijim të reformës së madhe që Shqipëria ka ndërmarrë ndaj energjisë, e cila sot më shumë se kurrë është e nevojshme në bazë të zhvillimeve ndërkombëtare në tregjet e energjisë. Kjo kredi synon të përmirësojë dhe të konsolidojë strukturën e OSHEE-së, pra ndarjen e tre operatorëve të OSHEE-së, synon të nxisë funksionimin e bursës së energjisë si dhe krijimin e një tregu konkurrues për energjinë”, tha ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Zëvëndëskryeministri Arben Ahmetaj pas nëshkrimit të marrëveshjes theksoi se ky hap vjen në një moment të rëndësishëm për shkak të vështirësive që po ndesh gjithë bota për sigurimin e energjisë gjatë këtij dimri.

“Marrëveshja që nënshkruam sot për mbështetjen e sektorit energjetik, vjen në një moment të rëndësishëm për sektorin, parë dhe në dritën e zhvillimeve globale, me një krizë energjetike që ka prekur të gjithë vendet. Fokusi I të gjitha vendeve e qeverive, por edhe qytetarëve në mbarë botën, është adresimi i sfidës së madhe në sektorin energjetik, ulja e varësisë nga burimet tradicionale energjetike dhe kalimi drejt burimeve të rinovueshme”.

Pavarësisht krizës që po përjeton sektori energjetik, qeveria ka siguruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjare dhe biznesin e vogël.

Klan News