Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka përshëndetur vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të ndërhyrë në Siri. Në një status në rrjetet sociale, kreu i shtetit e vlerëson këtë vendim si tregues të një lidershipi të fortë, në mbrotje të njerëzve të pafajshëm.

“Presidenti Trump dhe SHBA treguan një lidership të fortë në mbrojtje të njerëzve që masakrohen dhe vendosmëri për paqen e munguar prej vitesh në Sirinë e drobitur nga dhuna”,

shkruajti Presidenti Nishani në postimin e tij.

 

Edhe Partia Demokratike ka reaguar në një deklaratë, për këtë ndërhyrje që erdhi pas sulmit me armë kimike të pak ditëve më parë nga forcat qeveritare të Presidentit Bashar al Assad, që i morën jetën dhjetëra personave, mes të cilëve shumë fëmijë.

“Presidenti Trump urdhëroi sot në orët e para të mëngjesit goditjen me 59 raketa tomahok të bazës ushtarake në Siri, prej ku u lëshuan pak ditë më parë bombat me gaz helmues që shkaktuan vdekjen e dhjetëra civilëve mes tyre dhe shumë femijë. Përveçse një operacion me efektivitet të lartë ushtarak, kjo është një përgjigje e drejtpërdrejt ndaj një diktatori i cili nuk kursen jetë civilësh të pafajshëm për t’i shërbyer pushtetit të tij”,

thuhet në deklaratën e PD

./

tvklan.al