Nga 800 kompani të cilat operojnë në sistemin Call Center në territorin e Shqipërisë, numri i tyre për vitin e ardhshëm do të vijë duke u ulur. Drejtuesit e firmave nuk dinë të thonë shifrën e saktë se sa vende pune do të reduktohen, por një pjesë kanë filluar që sot kërkimin e tregjeve të reja, duke patur si prioritet Rumaninë. Kërkimi ka nisur menjëherë pasi senati në Itali miratoi paketën e buxhetit, e cila synon përqendrimin e vendeve të punës në shtete të Bashkimit Europian.

Por jo të gjitha bizneset në Shqipëri do të kenë këtë fat. Ka nga ato ndërmarrje të cilat kanë kontrata disa vjeçare me operatorë në Itali, dhe kanë të deklaruar numrin e vërtetë të punonjësve. Po ashtu një pjesë e mirë e tyre do të përpiqen të orientohen drejt tregut anglisht-folës.

Ditën e premte ministria e Zhvillimit Ekonomik dërgoi një letër për qeverinë italiane përmes ambasadës tonë në Romë, për të ndryshuar nenin që prekte Shqipërinë. Të kontaktuar nga TV Klan, ministria shprehet se pret zbardhjen zyrtare të vendimit të senatit për të vendosur se si do të negociojë prekjen që kanë operatorët në Shqipëri.

Tv Klan