Aktualisht vijon puna në doganën e Kakavijës. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit Gjirokastër, Arben Joco, tha se që prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme e deri më tani në kufi kanë kaluar 700 qytetarë.

Ky numër është shumë pranë kufirit prej 750 qytetarësh që ka vendosur Greqia për të kaluar në ditë nga pika kufitare e Kakavijës.  Joco tha se pritet njoftimi nga ana e palës greke se çfarë do të bëhet në vijim, nëse do të vijojë lëvizja apo do të ndërpritet.

“Aktualisht jemi në limitet e numrit dhe nuk kemi njoftim për mbyllje. Shpresojmë që të kemi një njoftim pozitiv.  Deri në orën 7:00 e mëngjesit deri tani jemi rreth 700 persona që kanë kaluar. Puna vazhdon edhe në palën greke. Kjo është praktika që kemi lënë. Ne presim si do të vendoset, do të vijojmë apo do të ndërpresim lëvizjen”, tha Joco.

Joco bëri të ditur se nga dita e nesërme, pala greke nuk do të lejojë asnjë qytetar pa pasur me vete testin negativ të Covid-19. Ndërkohë do të vijojë limiti prej 750 personash në ditë.

Këto kritere do të vijojnë deri në një njoftim të dytë sipas Jocos. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për pikën kufitare të Kapshticës. Atje limiti i personave për të kaluar është prej 300 personash ne ditë. Stacioni i policisë në Kapshticë njoftoi se ky limit është plotësuar dhe është pezulluar kalimi për ditën e sotme./tvklan.al