Barack Obama do të prezantojë sot në Kongresin Amerikan planin e Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit për të mbyllur burgun e sigurisë së lartë të Guantanamos. Një premtim ky i bërë nga presidenti i SHBA në 2008 dhe që dëshiron ta realizojë përpara përfundimit të mandatit të tij presidencial.

Në superburgun që ndodhet në ishullin e Kubës, gjenden ende 91 të burgosur dhe rreth 2000 punonjës, civilë dhe ushtarakë.

Motivi i mbylljes vjen për shkak të kostos së lartë të strukturës, si dhe prej faktit se po përdoret nga propaganda e ekstremistëve islamikë për të rekrutuar luftëtarë.

Sipas planit të Presidentit Obama, një pjesë e të burgosurve do transferohen në shtete të tjera, ndërsa pjesa që mbetet, të cilët konsiderohen si tepër të rrezikshëm, do të transferohen në SHBA.

Sipas burimeve pranë Pentagonit, plani për mbylljen e Guantanamos parashikon që të burgosurit të transferohen në burgje në Karolinën e Jugut, Kansas dhe Kolorado, si dhe në gjashtë baza të tjera ushtarake.

guantanamo

Po sipas të njëjtave burime, përllogaritet se transferimi i të burgosurve nga Guantanamo në burgjet të tjera amerikane, do mundësojë kursimin e 65 – 85 milionë dollarëve në vit.

Mirëmbajtja e këtij burgu kushton aktualisht 445 milionë dollarë.

Megjithatë rezultati i këtij plani mbetet i paqartë, sa i përket vendimit që do të marrë Kongresi, për shkak se pjesa më e madhe, jo vetëm republikanët, janë shprehur kundra.

Vetë Presidenti Obama në një deklaratë për mediat u shpreh se:

 “Kur diçka nuk funksionon është e nevojshme të ndryshojmë kurs. Prej kohësh është mëse e qartë se Guantanamo minon vlerat amerikane dhe nuk ndihmon sigurinë tonë kombëtare. Është pengesë sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe ky nuk është mendimi im, por i ekspertëve.”

 /tvklan.al