Çuçi-IKMT: Vijoni me ndërtimet që janë skualifikuar nga legalizimi

Krahas operacionit “Bregdeti ynë” Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të nisë shemben edhe të atyre objekteve që për arsye të ndryshme nuk janë legalizuar.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thirri në një takim drejtuesit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të cilëve u kërkoi që të vijojnë sa më shpejt punën edhe me objektet e përjashtuara nga procesi i legalizimit.

“IKMT është një nga agjencitë më të rëndësishme. Jo më kot e kaluam në varësi të Ministrisë së Brendshme sepse duam një strukturë shumë të fortë reaguese në terren për të kontrolluar territorin nga ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit. Duhet të vijoni sa më shpejt me shembjen e objekteve që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit”.

Ministri i Brendshëm kërkoi një bashkëpunim të IKMT dhe Policisë së Shtetit kur është fjala te kontrolli i territorit dhe në mënyrë të veçantë te ndërtimet e reja që bëhen.

Veç kësaj Çuçi kërkoi që IKMT të konsiderojë po aq shumë edhe dimensionin tjetër që ka kjo strukturë, atë të mbrojtjes së mjedisit.

Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi në muajin Qershor dhe po vijon ende përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil.

Janë shembur qindra objekte pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, janë vendosur qindra milionë gjoba ndaj subjekteve dhe shumë persona po ndiqen penalisht.

IKMT do të shembë gjithashtu ndërtimet pa leje edhe në zonat e mbrojtura, si dhe ato përgjatë akseve rrugore kombëtare.

Tv Klan