Pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve, të cilët dolën për ditë të tëra në rrugët e Gjeorgjisë në protestë dhe kritikave të Uashingtonit e BE-së, parlamenti gjeorgjian miratoi projektligjin për agjentët e huaj. 83 nga 150 deputetë votuan pro projektligjit, ndërsa deputetët e opozitës bojkotuan votimin.

 Masa ligjore kërkon që mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin më shumë se 20 përqind të fondeve të tyre nga burime të huaja, të regjistrohen si “agjentë të huaj”. Kundërshtarët e projektligjit e krahasuan atë me një ligj rus të vitit 2012, që është përdorur për të shtypur ose mbyllur organizatat që kritikonin qeverinë ruse.

Fati i këtij projektligji shihet si një provë nëse Gjeorgjia, 33 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, synon të shkojë nga Perëndimi apo të kthehet më afër Rusisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov mbrojti projektligjin ndërsa pohoi se po përdorej nga për të nxitur frymën anti-ruse. Partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila është përballur me akuza për autoritarizëm dhe lidhje të afërta me Rusinë, thotë se ligji është i nevojshëm për të promovuar transparencën dhe për të luftuar “vlerat pseudo-liberale” të imponuara nga të huajt.

Kjo nismë edhe vitin e kaluar shkaktoi një krizë të thellë politike, por u tërhoq më vonë dhe në atë vit u cilësua si fitore e madhe për vendin, nga qytetarët që protestuan para parlamentit.

Klan News