Një ditë pasi Lulzim Basha ngriu të gjitha funksionet e tij si Kryetar i Partisë Demokratike, dy nënkryetarët e kësaj force politike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho hapën zyrtarisht procesin zgjedhor për kreun  e ri të PD-së. 

Vendimi përcakton që zgjedhjet për drejtuesin e ardhshëm të demokratëve do të mbahen në 22 korrik, kohë kur mbaron edhe mandati si kryetar i Lulzim Bashës.

Kandidati i parë zyrtar, përballë Lulzim Bashës është ish- deputeti Eduart Selami.

Mbërritja e Selamit në Partinë Demokratike përkoi me atë të Lulzim Bashës në zyrën e tij, por ish- deputeti demokrat 30 minuta pas qëndrimit  në selinë blu, mohoi të ishte takuar me rivalin e tij në garë.

“Nuk u takova me Bashën, takova grupin e punës. Në orën 17:30 do dal me një deklaratë këtu në kat të dytë, e sigurt është që do të dalim më të fortë nga këto zgjedhje”, tha Selami.

Sipas vendimit të marrë nga nënkryetaret Paloka e Spaho, kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike, duhet t’i paraqesin kerkesat për kandidim deri më datë 2 korrik. Kryetari do të zgjidhet sipas parimit një anëtar një votë dhe me procesin është ngarkuar Komisioni i Organizimit dhe Kontrollitt të Operacioneve Elektorale, siç përcaktohet në statut. Figurat e Partisë Demokratike dhe anëtarë e drejtues të forumeve të saj që kanë kërkuar largimin e Lulzim Bashes si shkaktar të humbjes më të thellë të demokratëve në zgjedhje, e kanë quajtur shkelje statutore vendimin e Bashës për të ngrirë funksionet e tij. TV KLAN