Qindra Londinezë protestuan kundër vendosjes së kufijve dhe për të drejtat e emigrantëve, pas shpalljes së referendumit që vendosi se Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian.

Në ndryshim nga vota e përgjithshme e Anglisë, Londra votoi kundër largimit nga Unioni.

 “Jam vërtet i shqetësuar për të ardhmen e këtij vëndi tani. Mendoj se Brexit është një gabim. Në fakt mendoj se nuk duhet të kishte fare referendum për këtë, pasi vetëm një numër i vogël njerëzish janë të kualifikuar për të marrë një vendim të tillë”

, tha një qytetar i Londrës.

Pas daljes së rezultateve kishte edhe nga ata që u penduan për votën e tyre pro largimit, ndër to Adam, një qytetar nga Manchester.

Ai tha:

“Jam pak i tronditur pasi votova për të dalë nga Bashkimi Europian, por nuk mendoja se vota ime do të ndikonte. Unë jam pro qëndrimit dhe dorëheqja e kryeministrit Cameron më la pa fjalë”.

Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan tha menjëherë pas referendumit se pavarësisht largimit nga BE, evropianët janë të mirëpritur në Londër dhe se nuk ka vend për panik.

Një peticion tjetër për një referendum të dytë të Britanisë së Madhe mori më shumë se 2 milionë firma, 20 herë më shumë se numri i nevojshëm për dërgimin e çështjes në parlament.

Tv Klan.