Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Ardian Kodra, rënë në krye të detyrës gjatë përpjekjes për të arrestuar David Qosen, është përcjellë këtë të shtunë në banesën e fundit, në varrezat e Dëshmorëve të Shkodrës.

Në një ceremoni zyrtare, miq, të afërm, kolegë dhe qytetarë të Shkodrës i kanë dhënë lamtumirë, duke bërë homazhe përpara trupit të pajetë, vendosur në ambientet e policisë së këtij qyteti.

Të pranishëm në homazhe ishin dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, deputetë të Kuvendit, drejtues të Policisë së Shtetit, si dhe të pushtetit lokal.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka akorduar Medaljen e Artë të Shqiponjës, policit të rënë në krye të detyrës, medalje e cila iu dorëzua të birit.

Flamuri me të cilin ishte i mbështjellë arkivoli dhe kapelja e policisë iu dorëzua djalit të policit të vrarë nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, sëbashku me Medaljen e Artë të Shqiponjës, ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me propozim të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, e shpalli Dëshmor të Atdheut.

Presidenti Nishani, në mesazhin drejtuar familjes së efektivit të policisë, e dënoi ashpërsisht këtë akt gjakatar dhe i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe organeve ligjzbatuese, që të vazhdojnë luftën e tyre të përditshme kundër krimit.

Kryeministri Edi Rama, i shprehu ngushëllimet familjes përmes një mesazhi në rrjete sociale, ndërsa mesazhe ngushëllimi përcollën edhe ish – Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Tv Klan