Policia e Elbasanit ka ndërmarrë një sërë masash për të siguruar rendin dhe qetësisë për zhvillimin sa më normal të takimit Partizani – Red Bull Salzburg, që do të zhvillohet ditën e martë, në orën 20:00, në Stadiumin “Elbasan Arena”.

Policia e këtij qyteti njofton të gjithë qytetarët se nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit, deri në përfundim të ndeshjes. Nga ora 18:00 do të ndalohet qarkullimi i mjeteve nga “Kryqëzimi i Romëve” deri tek “Kryqëzimi i tapetave”. Nga “Kryqëzimi i rrugës së tapetave” deri tek “Ish Konservimi” nuk do të lejohet parkimi dhe qarkullimi i mjeteve.

Për mbarëvajtjen e ndeshjes do të angazhohen 222 punonjës policie nga Drejtoria e Policisë Elbasan dhe nga FNSH – ja.

Gjithashtu, nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet duhet të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti.

Sigurohuni që mos keni me vetë sende të forta, shishe të çfarëdolloji, fishekzjarre, monedha apo metale të çfarëdolloji, çelësa të ndryshëm, pasi në të kundërt nuk do të lejoheni të futeni në stadium.

Policia thotë se të gjithë tifozët do të kontrollohen në hyrje të stadiumit.

Gjithashtu, të gjitha lokalet që ndodhen përreth stadiumit, nga ora 18:30 dhe deri në përfundim të ndeshjes, duhet të marrin masa që të jenë të mbyllura. Policia e Elbasanit i kërkon qytetarëve që gjatë ditës së nesërme, të minimizojnë lëvizjen e tyre me automjet brenda qytetit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të këtij aktiviteti./tvklan.al