NISHANII

Vizita në Bullgari e Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe zonjës së parë Odeta Nishani nisi me ceremoninë zyrtare të pritjes nga homologu Rosen Plevneliev. Ceremonia e mirëseardhjes së kreut të shtetit shqiptar u zhvillua në sheshin “Aleksandër Nevski” të Sofjes, ku u ekzekutuan himnet kombëtare respektive dhe më pas u vendos një kurorë me lule në Monumentin e Partizanit të Panjohur.

Pas një bisede kokë më kokë mes dy presidentëve dhe takimit të dy delegacioneve Nishani dhe Plevneliev dolën para mediave. Në fokus ishte nxitja e bashkëpunimit ekonomik.

Bujar Nishani – President i Shqipërisë: “Ramë dakord që të nxisim më tej të gjitha strukturat shtetërore të dy vendeve tona për të krijuar atmosferën e nevojshme për një bashkëpunim të mirë ekonomik dhe tregtar. Pavarësisht se kemi një kuadër shumë të mirë ligjor bashkëpunimi në fuqi, si dhe vullnet politik të shprehur, ende rezultatet në këtë aspekt janë larg të qenit shumë të mira.”

Presidenti Nishani tha se për shkak të situatës në Siri dhe Irak duhet më shumë vemendje për kërcënimet që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe ISIS.

Bujar Nishani – President i Shqipërisë: “Sa i përket emigracionit nga Siria dhe Iraku, deri tani vendet tona nuk kanë qenë rrugë kalimi, por situatat e ndryshme na bëjnë që të jemi të vëmendshëm dhe marrim masat e nevojshme për përballimin e çdo situate”.

Presidenti Nishani u takua edhe me Kryeministrin bullgar Bojko Borissov me të cilin vlerësoi se eksperienca e fituar gjatë anëtarësimit në BE mund të jetë një ndihmë edhe për Shqipërinë.

Tv Klan