Pavarësisht debateve që palët politike kanë filluar mbi projektin ‘one billion euro’ që qeveria do të injektojë si një formulë të re për kryerjen e investimeve publike, Banka e Shqipërisë është shprehur se të gjitha risqet e këtyre kontratave do të vlerësohen nga bankat.

Në dorën e bankave do të mbetet nëse projekte të caktuara dhe propozime të biznesit do të jenë të realizueshme dhe me fitim, por edhe të paguashme nga ana e ekzekutivit përpara se t’i miratojë kredia. Burime në Bankën e Shqipërisë thonë për televizionin Klan se kjo është diskutuar edhe gjatë takimeve që përfaqësues të Bankës Qendore kanë patur me bankat e nivelit të dytë. Bankat tregtare ende nuk kanë dhënë një përgjigje nëse do të financojnë të gjithë paketën apo jo.

Formula e partneritetit publik privat parashikon që kompanitë të bëjnë pjesën më të madhe të investimeve në vepër me paratë e tyre dhe pas përfundimit buxheti i shtetit do të paguajë faturën duke llogaritur një normë fitimi për investitorin dhe kostot e projektit. Por që firma private të financohet për të bërë projektin, mbetet në dorën e bankës. Deri tani FMN ka kërkuar që paratë e këtyre projekteve të kontabilizohen si borxh publik, por qeveria i llogarit si detyrime. /Tv Klan