Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, replikoi me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë seancës në Kuvend këtë të enjte.

Teksa më herët Spiropali e ironizoi Bardhin për “baballarët” politikë, deputeti demokrat i kthehu përgjigje duke u shprehur se “babai i saj i të gjitha drejtimeve është Edi Rama”. Sipas Bardhit, opozitarët nuk kanë asnjë problem, ndryshe nga qeveria që sipas tij ka ngelur në “dyert e SPAK”.

“Kuptoj që nuk keni guxim as t’i përmendni emrin Olsi Ramës. Ju foli ajo që ju dini, ju foli ndërgjegjja juaj dhe e quajtët trafikant siç duhej ta kishte shpallur prokuroria nëse do i kishte vijuar hetimet dhe nuk do ti kishte mbyllur siç do dëshironit ju, siç thoni ju në fakt duke gënjyer, e tha dhe kryetari juaj i grupit. Kjo çështje jo vetëm nuk është e hetuar dhe gjykuar, siç u pretendua këtu, siç pretendon ai trafikanti që e quajte ti, por është çështje e hapur nga 2016 që do duhet të hetohet nga SPAK.

Padyshim që babai jot Elisa i të gjitha drejtimeve, Edi Rama, ka qëndrimin që the ti. Kur goditet opozita nga SPAK del dhe bërtet fitore. Ndërsa kur i cënohen oligarkët del edhe me gishtin lart i drejtohet SPAK-ut që kush jeni ju që sekuestroni projektin mafioz të dy oligarkëve në portin e Limionit. A ishte Edi Rama që i kërkonte llogari Prokurorisë Speciale pse kishte bllokuar këtë investim në një pronë publike të grabitur duke u bërë kështu zëdhënësi i dy oligarkëve dhe interesave kriminale e korruptive të tyre. Sa i takon përfaqësuesve të opozitës nuk kemi asnjë hall. Në hall jeni ju. Nuk shëtisim çdo ditë siç shëtit gjysma e qeverisë suaj, hyn Niko, del Mirela, hyn Taulanti, del Ogerta. Hyn njëri këtej e dil tjetri andej. Jeni bërë çdo ditë ngelët në dyert e SPAK dhe sigurisht që ora e drejtësisë për gjithçka i keni bërë këtij vendi në 11 vite edhe nëse nuk ka trokitur ende se ka trokitur deri tek dera e katit të dytë tek drejtorët, do të ngjitet dhe një kat më lart, në kat të tretë, tek ministrat, tek kryeministri, te kryetarët e bashkisë, tek ish-ministrat padiskutim.

Sa për delir madhështie asnjëri nga ata që përmende ti s’ka delir madhështie. Delir madhështie ka vetëm babai jot. E dëgjove si tha, më marrin liderët botërorë, jam shumë i zënë, prandaj ndoshta nuk vjen në kuvend sepse më kërkojnë mendim për të zgjidhur hallet e mëdha që ka bota e që m’i kanë lënë mua në kurriz. Në fakt ka vetëm një hall, atë që i ka bërë 11 vite Shqipërisë e duhet të mbajë përgjegjësi. Sa për drejtësinë e pamë herën e kaluar sa e doni. Për interesa korruptive për një ish-ministër grisët dhe hodhët në kosh një vendim të Gjykatës Kushtetuese duke zeruar një nga institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Këta jeni ju. Jeni njerëz që tjetër thoni, dhe tjetër gjë bëni”, u shpreh Bardhi./tvklan.al

“Baballarët tuaj ulërasin në majë të thanës”, Spiropali e ashpër ndaj opozitës: Çfarë është SPAK-u për ju?