Seanca e sotme plenare ka nisur sërish me debate mes palëve politike. Fillimisht ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi i cili duke iu drejtuar Ermonela Felajt tha se opozita ka bërë kërkesë për mocion me debat sa i takon trafikimit të lëndëve narkotike në vend.


“Ju anashkaluat një cështje që është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve, keni vendosur të mos e sillni. Grupi i PD më datë 11 Prill ka paraqitur kërkesë për mocion me debat sa i takon problematikës së prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në vendin tonë”, tha Bardhi.

Felaj iu përgjigj se është Konferenca e Kryetarëve ajo që jep një datë për ta shqyrtuar në Kuvend.

Ndërkohë, sipas kreut të grupit të PS Bledi Çuçi kjo çështje është rezauruar nga organet e drejtësisë dhe Parlamenti.

Pas këtyre replikave të shkurtra, ishte ministrja Elisa Spiropali ajo e cila akuzoi opozitën se nuk mbajnë qëndrim ndaj “baballarëve të tyre”. Këta të fundit, referuar Sali Berishës e Ilir Metës, sipas saj “ulërasin” nga mëngjesi në darkë për SPAK dhe kreun e saj.

“Ju qe keni opinion për gjithçka dhe gjithkënd, a keni ju një opinion për baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë? Zoti Bardhi dhe të tjerët. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK-ut nga mëngjesi në darkë, tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK-un dhe kreun e SPAK-ut nëpër ekrane e ku t’i dalë përpara. Bëni prokurorin, gjyqtarin, akuzatorin këtu. Gjuhën e dalë fare nga binarët e mendjes së të dy baballarëve tuaj në majë të thanës ju as nuk e përmendni. Të dy presidentë të kësaj republike, kryeministra të këtij vendi, bela të këtij populli. Për të cilët ju s’shpreheni, por vini këtu dhe doni të bëni sherr e rrëmujë nga mëngjesi deri në darkë, na thoni njëherë e mirë se çfarë opinioni keni ju për ulërimat e tyre të dala nga binarët se helbete ata nuk janë dy kokë dele, por janë baballarët e opozitës tuaj në emër të të cilëve ju vini këtu e na tregoni gishtin për drejtësinë. Ju që jeni të zhytur kokë e këmbë brenda vetëm me dy gishta jashtë, na ngrini këtu gishtin e akuzës, juve u gënjen mendja se mund të hani thana në pemët e tyre dhe t’i vilni votat në koshin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe, siç mbanin shërbëtorët e një kohe mbretërit, në një karrocë pa rrota. Doni të mbani peng të hallit tuaj të madh, çohuni  e thuajeni qartë çfarë është SPAK-u për ju? Mos të jetë përgjigjia si ajo e herës së kaluar, që kur godet baballarët tuaj është organizatë kriminale. Kjo gjuha juaj s’ka pikë lidhje as me procedurën, as kërkesën që ju bëni. Vazhdoni kështu, bashkimi juaj i madh me baballarët tuaj në krye të thanës do ketë fundin e këtyre 9 viteve“, tha Spiropali./tvklan.al