I pranishëm në konferencën “Policia e Gjeneratës së re”, Kryeministri Rama ka folur mbi arritjet dhe ndryshimet drastike të bëra në Policinë e Shtetit, duke i krahasuar me ato të 3 viteve më parë.

Sipas Ramës, ndryshimet tashmë janë tepër të dukshme dhe mjaft efektive.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë nuk ka lënë pa thumbuar edhe ish paraardhësin e tij, Sali Berisha, duke thënë se Shqipëria e shpallur në moshën e internetit, nuk kishte të bënte aspak me policinë, por “për t’u kthyer nga plak në i ri në Facebook.”

“82 përqind e Policisë së Shtetit ishin jashtë standardeve, pa folur për teknologjinë që as nuk ekzistonte dhe pse Shqipëria ishte shpallur mosha e internetit. Mosha e internetit ishte për t’u kthyer nga plak në i ri në Facebook, por jo për Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit kishte degjeneruar. Nuk ka më, sot çdo telefonatë në Tiranë e merr përgjigjen në çast, jo vetëm për policinë, por edhe për urgjencën. Po të kthejmë kokën tre vite më parë, urgjenca bëhej me zetor, me kamionçinë me bicikletë, se ambulancat ishin në gjumë. Po sporteli unik, e dini mirë ju se në çfarë kushtesh priteshin qytetarët, nëse priteshin, në Policinë e Shtetit. 3 vite më parë duhej të gjeje njëherë se ku bëhej ankesa. Po kamerat e trupit, që janë një risi së cilës po ja shikojmë rezultatet dhe që duhen shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Po komisariati dixhital, çdokush që ka një celular në xhep, e ka policinë aty.”

/tvklan.al