Rama me biznesi grekKryeministri Edi Rama në një takim me biznesmenët grekë në Shqipëri theksoi se thithja e investimeve të huaja është prioritet për qeverinë që drejton.

Teksa informoi për gjendjen e ekonomisë dhe financave, kreu i ekzekutivit tha se deri tani është mundësuar shlyerja e 200 milionë dollarë faturave të prapambetura ndaj biznesit. Sipas tij, kjo ecuri do të vijojë gjatë të gjithë vitit. Rama vlerësoi ndryshimin e rejtingut për Shqipërinë nga Agjencia Standard&Poor’s nga “negative në stabël” për ekonominë e vendit, pas firmosjes së marrëveshjes së huasë prej 331 milionë eurosh me FMN.

Rama tha se shumë shpejt do të vihet në jetë mekanizmi i rimbursimit automatik të TVSH brenda 60 ditëve, ndërsa premtoi masa ndëshkuese deri në përjashtim për të gjithë tatimorët dhe doganorët që vendosin gjoba të pamotivuara ndaj biznesit. Sipas kryeministrit, doganat dhe tatimet kanë grumbulluar për 3-mujorin e parë 150 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.